RajoniTop Lajme

Rezolutë kundër raportit të Dick Marty për UÇK-në, Rama i drejtohet nesër Këshillit të Evropës

Shpërndaje

E nesërmja do të jetë një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Kosoën në Këshillin e Evropës në Strasburg. Rreth orës 15 nesër Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Këshillit të Evropës për afro një orë me një fjalim ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Në mbledhje Shqipëria do të raportojë për këtë kërkesë, ndërkohë që një delegacion nga Tirana do të jetë i pranishëm. Vetë Rama e kishte paralajmëruar një kërkesë të tillë në KiE kur Shqipëria miratoi në Kuvend Rezolutën kundër raportit të Dick Marty, pasi akuzat e bëra prej tij janë totalisht të pabaza dhe nuk janë vërtetuar në të gjithë këto vite dhe njollosin një luftë të drejtë të popullit të Kosovës.

Një kërkesë të tillë Rama e kërkoi edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve. Rama kërkoi nga OKB që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Marty, që sipas tij ka nxirë qëllimisht UÇK-n, por edhe vetë historinë e Kosovës. Rama tha se ky raport është një trillim dhe fantazi, por e cilësoi si edhe më të rëndë faktin që mbi atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011, sot mbahen padrejtësisht në burg drejtuesit e UÇK-së.

Kujtojmë se në gusht Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri Edi Rama ka publikuar dokumentin që është dërguar në KiE dhe thotë se raporti famëkeq i Dick Marty nuk mund të gëzojë rezolutën mbështetëse, ndaj kërkon drejtësi për këtë çështje.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011). Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti.

Rezoluta u është dërguar:

1. Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;
2. Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;
3. Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;
4. Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
5. Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
6. Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;
7. Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Kujtojmë se në seancën e fundit plenare të sesionit të kaluar më 21 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty për trafik organesh nga drejtuesit e UÇK. Pavarësisht debateve, opozita bashkoi votat me mazhorancën, duke votuar me 125 vota pro rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t.

Raporti u mbështet nga Rusia, e cila ishte ndër të parat që artikuloi këto akuza. Në seancën plenare, kryeministri Rama i mëshoi faktit që raporti është i mbështetur nga Rusia dhe zëdhënës rus. Raporti i vitit 2011 i Dick Marty, asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjesëtarë dhe drejtues të UÇK, për të cilat hetuesit ndërkombëtar nuk kanë gjetur prova.