“Çmimet janë rritur më shumë se pagat”, Maqedonia me 18,7% ka inflacionin më të lartë në rajon
Maqedonia me 18,7% e ka inflacionin më të lartë në rajon, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Këtë mund ta vërejë çdo qytetar kur del për të blerë në ndonjë dyqan, sepse çmimet e produkteve janë rritur në mënyrë drastike, kurse nuk ka rritje reale të pagës mesatare, shton ai.
“Inflacioni në gusht, muajin që e krahason Kovaçevski, është 18,7% dhe pa asnjë dyshim është më i lartë në rajon, nuk ka inflacion më të lartë. Kjo do të thotë se nëse paga është rritur për 11,1%, paga mesatare, siç pohon ai, rritja reale është 7,6% në minus. Domethënë kemi më shumë shpenzime dhe më pak rrogë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Zëvendëskryeministri për Ekonomi, Fatmir Bytyqi, në emisionin “Click Plus” të TV21 nuk kishte tone shumë optimiste. Ai konfirmoi se inflacioni ka shënuar rritje prej mbi 18%, por shtoi se kjo i referohet muajit shtator, ndërsa në nivel vjetor inflacioni është rreth 12%. Duhet të jemi të lumtur nëse vazhdojmë brenda nivelit vjetor, tha ai.
“Ne ende e mbajmë mesataren vjetore diku rreth 11,6. E kam thënë në disa raste se nëse i përmbahemi atyre kornizave mes 10 dhe 12%, do të mund të themi se jemi të lumtur që jemi në atë nivel. Fatkeqësisht, inflacioni… nuk krahasohem me vendet ku është mbi 20%, ka disa të tilla, por në fqinjësi dhe në Bashkimin Europian kjo ndoshta do të vazhdojë edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
Kryeministri Kovaçevski në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se paga mesatare është rritur për 11,3% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Pagat do të vazhdojnë të rriten, pensionet do të rriten, sepse synojmë ta arrijmë standardin evropian, shkruan Kovaçevski.