Ministri Osmani e hapi Konferencën e OSBE-së për Mesdheun
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot në Jordani hapi Konferencën e sivjetme të OSBE-së për Mesdheun në cilësinë e kryesuesit të Grupit të partnerëve të OSBE-së për bashkëpunim mesdhetar.
Në fjalën hyrëse ministri, Osmani iu referua sfidave të përbashkëta të sigurisë me të cilat përballen vendet e Mesdheut dhe vendet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ai iu referua agresionit të Federatës ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimit të fortë në proceset politike dhe të sigurisë në rajonin e OSBE-së dhe në vendet e Mesdheut.
“Pavarësisht se përpjekjet tona të përbashkëta për ta ndaluar agresionin kundër Ukrainës për momentin nuk po japin rezultate, nuk është koha për defetizëm, por për angazhim aktiv. Duhet të gjejmë një mënyrë për të reduktuar dhimbjen dhe ashpërsinë e agresionit, me fokus të fortë në njerëzit që vuajnë dhe kanë nevojë për mbështetje. Duhet ta përdorim këtë forum për të ritheksuar ndërvarësinë e sigurisë midis dy rajoneve, atë të OSBE-së dhe të Mesdheut në mënyrë konstruktive dhe në frymën e partneritetit të vërtetë – prioritete të përbashkëta që prekin jetën e të gjithë qytetarëve tanë”, theksoi ministri Osmani.
Ai më tej iu referua rëndësisë së zbatimit të agjendave nacionale në mbështetje dhe fuqizim të të rinjve, grave, përballjes me efektet e ndryshimeve klimatike dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nënvizoi se këto tema do të jenë pjesë e agjendës prioritare të kryesimit tonë me OSBE-në në vitin 2023.
“Rinia jonë tashmë po i ndjen efektet e krizës klimatike. Ata duhet të përballen me këto fenomene në vitet në vijim. E ardhmja jonë do të jetë në duart e tyre dhe ne duhet të krijojmë parakushte për veprim efikas dhe angazhim efektiv të tyre”, theksoi ministri Osmani.
Në diskutimin në hapjen e konferencës morën pjesë ministrat e punëve të jashtme të Jordanisë, Safadi; Polonisë, Rau; Suedisë, Bilstorm (përmes video-lidhjes) dhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Shmid. Në fokus të debatit ishin sfidat e sigurisë të shkaktuara nga agresioni i Federatës ruse ndaj Ukrainës dhe implikimet e së njëjtës; ndërvarësia e sigurisë ndërmjet rajoneve- evropiane dhe mesdhetare, dhe nevoja për bashkëpunim konkret dhe angazhim pozitiv; mungesa e ushqimit, pasiguria energjetike, kriza klimatike etj.
Në konferencën dyditore marrin pjesë mbi 200 përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve mesdhetarë për bashkëpunim, në tema prioritare që lidhen me fuqizimin e të rinjve dhe grave, që kanë të bëjnë me rreziqet e ndryshimeve klimatike dhe trafikimin e qenieve njerëzore etj.