Përmes subvencionimit të rrymës deri te lirimi i produkteve bazë në Maqedoni
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike për të gjitha kompanitë, të cilat prodhojnë produkte ushqimore bazë, si buka, vaji për gatim, mishi dhe qumështi, në mënyrë që të ulet çmimi i tyre.
Kompanitë që merren me prodhimin dhe përpunimin e tyre do të paguajnë vetëm 80 euro për megavat në orë kundrejt 220 deri 700 euro për megavat në orë, aq sa kanë paguar vitin e fundit në tregun e lirë prej ku janë furnizuar.
Këtë vendim Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka marrë në mbledhjen e saj të fundit më 30 tetor dhe i njëjti do të vlejë deri më 31 mars, aq sa zgjat dhe vendimi i shpallur për krizën energjetike në shtet.
Kompanitë, me të cilat ka kontaktuar Radio Evropa e Lirë, e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për subvencionimin e energjisë elektrike, por theksojnë se ulja e çmimit të bukës, vajit për gatim, produkteve nga qumështi dhe mishi do të varet edhe nga stabilizimi i lëndës së parë të këtyre produkteve në tregun botëror, prej nga importon Maqedonia e Veriut.
Në bazë të të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave vaji për gatim dhe buka shiten për 48 për qind më shtrenjtë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përderisa produktet e qumështit janë shtrenjtuar për 30 për qind.
Një bukë, mesatarisht kushton 50 denarë, përderisa vitin e kaluar buka shitej për 30 denarë.
Goran Malishiq nga grupi i industrisë së furrtarëve thotë se shpreson që subvencionimi i rrymës do të kontribuojë që të ulet çmimi i bukës për 10 për qind, megjithëse shton se gjithçka do të varet dhe nga çmimi i grurit në tregun botëror, përkatësisht zhvillimet në Ukrainë.
“Brenda një dite pamë se çmimi i grurit shënoi rritje për shkak të vendimit të Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja për lejimin e eksportit të grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi. Pas një periudhe të caktuar, kur çmimet do të stabilizohen, atëherë mund të pritet që të shënojnë ulje çmimet për prodhimet nga mielli për 10 për qind”, thotë Malishiq.
Gjatë ditës së diel Rusia u tërhoq nga marrëveshja për lejimin e eksportit të grurit të Ukrainës përmes portit të Detit të Zi duke vendosur sërish bllokada. Marrë parasysh se Ukraina është eksportuesja më e madhe e grurit, pas këtij vendimi, çmimi i grurit në bursën botërore u rrit për 6 për qind.
Nga ana tjetër, Metush Abazi nga kompania “Uka Komerc”, e cila merret me prodhimin e produkteve nga mishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të bëhen kalkulime plotësuese për sa do të ulen produktet e kësaj kompanie, marrë parasysh dhe faktin se kjo kompani ka ulur koston e shpenzimit të energjisë elektrike pas investimeve që ka bërë në panelet diellore.
“Këto masa janë të mirëseardhura për të gjitha kompanitë prodhuese pasi kanë impakt të drejtpërdrejtë në çmimin e produkteve. Por, ne, si kompani, e kemi ulur koston e shpenzimeve të energjisë elektrike me investimin që kemi bërë me prodhimin e energjisë nga panelet diellore”, thotë Metush Abazi, prodhues dhe përpunues i produkteve të mishit.
Nga ana tjetër, Goce Trajçev nga grupi i prodhuesve dhe përpunuesve të mishit thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të sigurojë nëse do të shënojë ulje çmimi i mishit pasi Maqedonia e Veriut pjesën më të madhe të mishit, si lëndë e parë, e siguron nga jashtë vendit.
Trajçev thotë se ulje të çmimeve mund të shënojnë vetëm produktet nga mishi, të cilat prodhohen në vend, nga 5 deri në 10 për qind.
Autoritetet qeveritare presin që masat për subvencionimin e çmimit ta rrymës të ulin të paktën për 10 për qind çmimin e të gjitha produkteve ushqimore bazë.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tërheq vërejtjen se nëse këto masa nuk japin efektin e pritur, Qeveria do të intervenojë me ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë.
“Tashmë kemi biseduar me odat ekonomike që të mos ketë keqpërdorime të tilla ngase mund të sjellim vendim për ngrirje të tërësishme të çmimeve ku do të konstatohet se imputi [pjesëmarrja] i energjisë elektrike nuk kalkulohet në çmimin final të prodhimeve”, deklaron Bekteshi.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore theksojnë se krahas kompanive që prodhojnë produktet ushqimore bazë, Qeveria duhet të subvencionojë për sa i përket çmimit të energjisë elektrike, të gjitha kompanitë që ato të mos jenë të detyruara ta ulin prodhimin dhe me këtë t’i ruajnë vendet e punës.
“Ky model duhet të praktikohet edhe për kompanitë e tjera, të cilat kanë hise në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik, që përbëjnë Bruto Prodhimin Vendor, veçanërisht ata sektorë që kanë numrin më të madh të të punësuarve, pasi e gjithë lufta mbetet në ruajtjen e vendeve të punës dhe likuiditetin e kompanive. Duke pasur parasysh këta dy faktorë, pra ruajtjen e vendeve të punës dhe likuiditetin e kompanive, është e rëndësishme që Qeveria këtë modelin e subvencionimit të rrymës që tashmë e ka aplikuar për kompanitë që merren me prodhimin e produkteve ushqimore bazë, ta zbatojë edhe për kompanitë e tjera”, thotë Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që krahas kompanive që prodhojnë produkte ushqimore bazë të subvencionojë dhe çmimin e rrymës për shkollat, si dhe kompanitë për furnizim me ujë, në mënyrë që të mos rriten faturat e ujit./REL/