BotaTop Lajme

Rrugët shndërrohen në lumenj, uji ‘merr makinat me vete’ gjatë përmbytjeve në Arabinë Saudite (Video)

Shpërndaje

Mbretëria e Arabisë Saudite është goditur nga përmbytjet dhe këto erdhën pak ditë pasi mbreti i vendit u lut për shi.

Sipas mediave të huaja, mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud u kishte bërë thirrje vendasve të Arabisë Saudite që të luten për shi në fillim të kësaj jave.

Mbreti, i cili është edhe kujdestari i dy xhamive të shenjta, i tha popullit të tij që edhe të bënin “vepra të mira dhe të jepnin sadaka” gjatë gjithë kohës duke u lutur për reshjet.

Dhe vetëm 24 orë më vonë, shiu erdhi – por në mënyrën më dramatike.

Pamjet video të postuara në mediat sociale tregojnë valë uji, disa metra të larta, duke “larë” makinat në rrugët lokale në qytetet Jeddah, Rabigh dhe Khulais, ndërsa sipas raporteve në Gazetën Saudite, shkollat dhe universitetet u mbyllën si rezultat i përmbytjet shkatërruese.

Mbrojtja Civile e vendit madje këshilloi vendasit që të “ushtrojnë kujdes dhe të largohen nga ujërat e mbledhur të shiut dhe luginat”.

Dhe shiu ishte aq dramatik, saqë rruga për në Mekë – qyteti më i shenjtë i Islamit – u mbyll, gjë që pothuajse nuk ndodh kurrë.