Samiti i BE-së në Tiranë, zbardhen temat e diskutimit dhe agjenda zyrtare
Në prag të nisjes së punimeve të Samitit BE – Ballkani Perëndimor, Këshilli i Evropës ka zbardhur temat e diskutimit dhe agjendën e takimit nesër në Tiranë.
Katër do të jenë temat ku do të fokusohet ky samit, kryesuar nga pasojat e agresionit të luftës në Ukrainë, ku liderët do të diskutojnë sesi të trajtohen pasojat negative në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.
Tema e dytë e diskutimit të liderëve do të jetë përforcimi i marrëdhënieve politike mes vendeve, ku fokusi do të jetë te të rinjtë.
Në këtë pikë do të vlerësohet edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së, modernizimin e sistemeve të pagesave në përputhje me standardet e BE-së si dhe nisma për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave.
Së treti, në fokus do të jetë siguria kibernetike dhe manipulimi informacionit.
E fundit, por jo nga rëndësia, do të diskutohet menaxhimi i emigracionit, ku udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të problemit që është gjithnjë e më shumë në rrije. Kjo pikë përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit.
Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.
Këshilli i Evropës ka zbardhur edhe agjendën e samitit, që do e kthejë Tiranën për pak orë në kryeqytetin evropian.
10:15, mbërritjet dhe mirëpritja zyrtare
11:00, shkëmbim pikëpamjesh
11:45, foto “familjare”
12:15, seancë plenare
14:30, konferencë për shtyp.
Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni, në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca sllovene e Këshillit. /tch