Maqedoni

Spitalet përplot me fëmijë nga virusi sincicial/ Rexhepi: Mos i dërgoni fëmijët në shkollë nëse kanë simptoma

Shpërndaje

Virusi sincicial i frymëmarrjes ka stërmbushur spitalet me pacientë të vegjël. Kapacitetet spitalore tashmë janë të stërmbushura si në spitalin Kozle po ashtu edhe në Spitalin për sëmundje të fëmijëve në Shkup. Simptomat që e karakterizojnë janë kollitja, sekrecion i hundës dhe teshtitje. Ndërkaq foshnjat janë ato që preken më së shumti nga virusi i frymëmarrjes, tregon për TV21 pediatri Fitim Rexhepi.

“Është një virus që më tepër i kaplon foshnjat nga muaji i dyti deri në muajin e gjashtë ose tetë dhe i kaplon në pjesën e poshtme të traktit respirator, duke shkaktuar kollitje, sekrecion të hundës, teshtitje dhe në forma më të rënda kemi fishkëllim të rrugës së frymëmarrjes. Spitalet e fëmijëv si në Shkup ashtu edhe në Tetovë janë të stërmbushura me fëmijë me të njëjtat simptoma, kryesisht transmetimi i këtij virusi bëhet nëpërmjet ajrit, kollitjes, teshtitjes, sekrecioneve të traktit respirator dhe mbajtja e maskave që ka qenë evidente gjatë kohës së pandemisë ka qenë edhe një masë mbrojtëse edhe për këtë virus.”- deklaroi Fitim Rexhepi – pediatër.

Me qëllim që të mos përhapet sëmundja, nëse vëreni simptoma qoftë edhe më të lehta, mos i dërgoni fëmijët në çerdhe dhe shkolla, thotë Rexhepi. Ndërkaq ai porositi që si masë parandalimi të konsumohen sa më shumë lëngje dhe vitamina.

“Ndarja nga shkolla nëse kemi fëmijë të sëmurë që të mos infektojmë fëmijë të tjerë, ushqimi i mjaftueshëm me vitamina dhe lëngje, trajtimi suportiv me antipiretik, ajrosja e mirë e hapësirave, temperature optimale apo ngrohja e mirë do të ndihmojnë pozitivisht në parandalimin e virusit.”- tha Fitim Rexhepi – pediatër.

Përndryshe edhe pse në shumicën e rasteve virusi sincicial është një sëmundje e lehtë me simptoma të ngjashme me të ftohtin, ky virus mund të bëhet një problem serioz dhe të kërkojë shtrim në spital, veçanërisht kur bëhet fjalë për foshnjat më të vogla se katër muajsh dhe fëmijët me sëmundje kronike, paralajmërojnë mjekët. Virusi mund të rezultojë në zhvillimin e bronkiolitit, që është inflamacion i rrugëve të frymëmarrjes në mushkëri, që shkakton vështirësi në frymëmarrje, veçanërisht në nxjerrjen e frymës dhe gjithashtu mund të çojë në pneumoni.