RajoniTop Lajme

Konjufca: Nuk do të lejojmë që Vuçiqi të komandojë në Kosovë përmes bandave kriminele!

Shpërndaje

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë vizitës së tij në Shkup tha se Republika e Kosovës ka shtyrë zgjedhjet në veri të Kosovës dhe ka pranuar marrëveshjen për targat me Serbinë në koordinim me SHBA-të dhe BE-në, përcjell TV21. Konjufca thotë se nga ana tjetër Serbia po mbështet grupet kriminele në veri, ndërsa theksoi se nuk do të lejojë që Vuçiq përmes banave kriminele të komandojë në Kosovë.

“Serbia në anën tjetër u përgjigj përmes mbështetjes së eksponentëve të cilët janë në krye të krimit të organizuar në atë pjesët ë Kosovës, të cilët ndërmarrin veprime të dhunshme dhe të armatosura kundër Policisë së Kosovës dhe të cilët i mbyllin edhe rrugët të karakterit ndërkombëtarë përmes vendosjes së barrikadave të paligjshme. Këta eksponentë janë në listën e zezë të SHBA-së, tash edhe të Britanisë së Madhe, urojmë që një ditë të jenë në listën e zezë të BE-së. Ne nuk do të lejojmë që brenda territorit të Kosovës Vuçiqi të komandojë përmes këtyre bandave”, tha mes tjerash Konjufca.

Postimi i plotë:

Sot, gjatë vizitës sime zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kisha kënaqësinë të mirëpritesha në takime të ndara nga homologu im Talat Xhaferi dhe Presidenti Stevo Pendarovski.
Gjatë takimeve të ngrohta e tejet miqësore shkëmbyem mendime për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian të shteteve tona.
Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu i vlerësuam të shkëlqyera marrëdhëniet e deritashme dhe ritheksuam gatishmërinë për kultivimin e mëtutjeshëm të raporteve tona, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërparlamentar, duke konsideruar se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.
Me Presidentin Pendarovski dhe Kryetarin Xhaferi ndamë pikëpamje të njëjta se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO, meqë një hap i tillë nuk do të linte hapësira destabilizimi në rajonin tonë.