Osmani pas takimit me Escobar: Barrikadat janë vendosur nga bandat kriminale të dirigjuara nga Vuçiq
Zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje pas takimit të saj me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit, presidentja Osmani i ka falënderuar ShBA-të për mesazhin e tyre të qartë, për zhvillimet në veri si dhe për kërkesën për heqje të menjëhershme të barrikadave në veri të vendit.
“Presidentja Osmani shprehi falënderimin për mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shprehur dje, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe kërkesën për heqjen e menjëhershme të barrikadave e ndalimin e kërcënimeve dhe frikësimit të qytetarëve lokalë, si dhe sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, zyrtarëve të komisionit zgjedhor dhe misionit të EULEX në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim bëhet e ditur se presidentja Osmani e ka theksuar nevojën për heqjen e barrikadave, të cilët sipas saj, janë vënë nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit, të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi”, thuhet në njoftim.
Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.
“Në takim u diskutua sesi të avancohen edhe më tej raportet mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, dhe në veçanti kërkesën e Presidentes Osmani të bërë në qershor 2022 për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, vijon njoftimi.
Pas takimit me Osmanin, Escobar është duke e zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.