ASH: MPB ta ndalojë dhe hetojë dhunën e “Tigrave” ndaj të rinjve shqiptarë
Aleanca për Shqiptarët kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ta ndalojë dhe hetojë dhunën e “Tigrave” ndaj të rinjve shqiptarë.
Regimi i plotë:
MPB ta ndalojë dhe hetojë dhunën e “Tigrave” ndaj të rinjve shqiptarë
Pa asnjë pretekst konkret dhe në mënyrë jo njerëzore, pjestarë të njësitit policor “Tigrat”, ditëve të fundit, kanë rrahur e keqtrajtuar të rinjtë shqiptarë në Shkup, duke u shkaktuar plagë të rënda dhe duke u lënë pasoja afatgjate.
Fatkeqësisht, të gjitha këto rrahje e keqtrajtime përsëriten në vazhdimësi dhe askush nuk jep asnjë sqarim për to. Si në rastin e fundit, ashtu dhe në rastet e tjera, policia nuk ka dëshmuar as veprime të paligjshme, as ndonjë sulm ndaj zyrtarëve policorë, si arsye për këtë sjellje, madje disa raste nuk janë as të regjistruara në buletinin policor. Me këto veprime, njësiti policor “Tigrat”, cili deri më tani ishte i ndaluar për shqiptarët, tani po bëhet edhe i rrezikshëm për ta.
Prandaj, ftojmë publikisht ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, zëvendësin e tij Nazim Bushin, si dhe Sektorin për kontroll të brendshëm në MPB që fillimisht të marrin masa për të parandaluar këtë sjellje të dhunshme të policisë, e më pas t’i zbardhin rastet e regjistruara deri më tani,ë dhe t’i sanksionojnë policët që kanë përdorur këto metoda të dhunshme.
Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër këtë sjellje të policisë dhe sigurojmë se për këtë dukuri do t’i njoftojmë të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Policia duhet të jetë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i frikësuar e dhunuar qytetarët.
– Aleanca për Shqiptarët –