Maqedoni

ASH: Nxënësit pa libra, MASH pa strategji, arsimi i degraduar dhe politizuar

Shpërndaje

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Reagimi i sotëm ka të bëjë me gjendjen kaotike në të cilën gjendet arsimi në nivel të Republikës. Kjo çrregullsi ka kapluar të gjitha nivelet, nga ai parashkollor deri tek arsimi sipëror.

Aleanca për Shqiptarët si objektiv kryesor e ka pasur dhe vazhdon të ketë ngritjen e sistemit arsimor të qëndrueshëm, të zbatueshëm dhe bashkëkohor. Jemi në prag të vitit 2023 dhe në këtë vend ende flitet për reforma, por rezultati nuk duket në horizont. Dhe më keq, për çdo ditë dalin në sipërfaqe mangësitë dhe dështimet.

Sa vite duhet të kalojnë deri sa të korrigjohen librat? A jeni të vetëdijshëm për dëmin që i bëni kësaj rinie e këtij populli?

Në asnjë prej librave që përdorin nxënësit tanë, asnjëri prej autorëve të parë nuk është shqiptar. Paramendoni, 1/3 e popullatës me universitet shtetëror, me dy fakultete pedagogjike shtetërore dhe me ministra të arsimit shqiptar gati 20 vite, në asnjë libër të botuar nuk kemi autor shqiptar! Jo që s’kemi akademikë të denjë për të qenë autorë, por ju i demotivuat ata.
Që qasja të jetë edhe më cinike, autoritetet fillojnë me shpërndarjen e racioneve me peshq e molla, ndërsa nga ana tjetër nxënësit gati një gjysmë-vjetor mësojnë pa libra, kurse edhe ato libra që i kanë gjysma janë aq të dëmtuara sa që fëmijët nuk mund të lexojnë prej tyre.

Krimi dhe korrupsioni vonuan vendin 20 vite për t’u integruar. Edhe sa vite do të duhet të kalojnë që fëmijët tanë të mësojnë në shkolla me një ndërrim? Dështimet kanë emër.

Edhe arsimi i mesëm është i lënë anësh. Vitet e katërta mësojnë ende me libra në gjuhën maqedonase apo nuk kanë fare libra. Të mos flasim për mungesën e hapësirave laboratorike, apo për nxitjen e fëmijëve të orientohen në drejtimet deficitare.

Sa për arsimin sipëror, ky cikël është botë në vete. Kemi hiperproduksion të kuadrove në drejtime të caktuara, ndërsa mungesë në drejtime tjera, shumëfishim të programeve studimore ku çdo gjë është e orientuar vetëm në rritjen e numrit të studentëve e jo në cilësinë e studimit. Buxheti për hulumtime shkencore është zvogëluar për 60%.

Politika duhet të qendron larg universiteteve, të garantohet autonomia, por njëkohësisht udhëheqësitë e universiteteve të zbatojnë në përpikmëri ligjin për arsim të lartë.

Sa ministra shqiptarë duhet të kalojnë këtë dikaster që të vijmë në përfundim se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur? Programi për Vlerësim të Nxënësve – PISA jep të dhëna të tmerrshme dhe këto janë si rezultat i politikave të kaluara 20 vjeçare. Prandaj, Aleanca për Shqiptarët propozon krijimin e një strategjie të re 30 vjeçare për arsimin dhe shkencën. Propozojmë një nismë që do të mbledh tërë spektrin politik opozitar e qeveritar, me përfaqësues dhe ekspertë të çdo partie politike, akademikët dhe profesionistët, që njëherë e përgjithmonë të sjellim një strategji të përbashkët dhe të pranuar nga të gjithë pa përjashtime, që kush do qoftë të jetë ministër i arsimit të ketë misionin e njëjtë, misionin për arsim cilësor, misioni që i shpëton fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre.
Boll më ndryshimi i politikave sa herë që ndryshohet ministri! I keni lodhur edhe mësimdhënësit edhe nxënësit edhe prindërit.

Dasmat greke janë të qeta deri sa në dysheme të bjerë pjata e parë. Pjatën e parë e gjuajtën ndërkombëtarët. Prandaj ftoj nxënësit, studentët, prindërit, akademikët, mos të heshtin dhe të bëhen aktorë në këtë betejë. E gjithë kjo që ndodh me arsimin buron nga mbyllja e syve, heshtja dhe hatri. Ambasadat e vendeve mike e dërguan mesazhin e qartë se duhet luftuar krimin, korrupsionin dhe nepotizimin. Këto dukuri negative duhet t’i luftojmë të gjithë së bashku për një arsim më cilësor dhe adekuat për brezat që vijnë.

Krimi ka emër. Korrupsioni ka emër. Nepotizmi ka emër. T’i luftojmë së bashku.

Ju Faleminderit!