BotaTop Lajme

Të paktën 48 të vdekur nga moti i ftohtë në SHBA (Video)

Shpërndaje

Së paku 48 persona kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara si pasojë e motit ekstrem që ka përfshirë vendin. Autoritetet thanë se për shkak të temperaturave tejet të ulëta numri i viktimave mund të rritet ndërsa shumë banorë kanë mbetur të bllokuar në shtëpinë e tyre. Dhjetra-mijëra shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

Autoritetet thanë se ngricat e shkaktuara nga stuhia vdekjeprurëse që ka rrethuar pjesën më të madhe të vendit do të vazhdojnë edhe këtë javë.

Moti ekstrem shtrihet nga Great Lakes pranë Kanadasë deri në Rio Grande përgjatë kufirit me Meksikën. Rreth 60% e popullsisë së SHBA -së u përball me paralajmërime për motin e ftohtë teksa temperaturat ranë shumë poshtë normales.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul u bëri thirrje qytetarëve të dielën të respektojnë urdhrin për ndalim të përdorimit të makinës, ndërsa aeroporti do të vijojë të jetë i mbyllur deri të martën në mëngjes.

Në Bufalo, qyteti i dytë më i madh i shtetit të Nju Jorkut, përballë temperaturave tejet të ulëta, njerëzit përpiqeshin të mbroheshin nga i ftohti duke gjetur ambjente të ngrohta.

Jeremy Manahan, një banor i zonës, tha se në shtëpinë e tij nuk kishte patur energji elektrike për 29 orë. “Ndërkohë, nëse rri jashtë më shumë se 10 minuta, ngrin nga i ftohti”, tha ai.

I ftohti i skajshëm prishi planet e mijëra amerikanëve pasi qindra fluturime u anuluan si pasojë e stuhisë, erërave të forta dhe dëborës./voa/