Walker: Masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën
Në Reçak është mbajtur akademia përkujtimore për rastin e 24 vjetorit të masakrës.
Ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka thënë se është i lumtur që gjendet në Kosovë.
Ai ka shtuar se 15 janari i vitit 1999, ishte një ditë me mot të tmerrshëm, kishte borë, akull, ishte e vështirë të ngjiteshim në vendin ku ishin trupat që ishin vrarë një natë më parë.
“Sot, shikoj diellin duke ndriçuar, qiellin e katër, kjo simbolizon se gjërat definitivisht kanë ndryshuar, jo vetëm simbolikisht”, ka thënë Walker.
Walker po ashtu ka thënë se është i lumtur që edhe vitet e fundit edhe institucionet qendrore të Kosovës po vijnë në homazhe.
Ai ka thënë se masakra e Reçakut ishte moment kthese për Kosovën.
“Jo se ishte masakra e parë apo e fundit në këtë vend, por për një numër arsyesh gjërat u bënë bashkë. Ditën tjetër e gjithë bota e kuptoi për Reçakun. Ishte në ballina të gjithë botës. Në Serbi, Qeveria e Beogradit e z. Milosheviq dhe z. Vuçiq, nisën të bëjnë gjërat që të kujdeseshin që bota të mos dëgjonte për Reçakun apo ta pranonte versionin e tyre. Por, falë Zotit kjo nuk ndodhi. Mediumet botërore erdhën, transmetuan pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë, e si rrjedhojë erdhi intervenimi i NATO-s”, u shpreh Walker.
Ai tregoi për ish-presidenti Hashim Thaçi erdhi para tri vitesh në Reçak, kur ia kishte dhënë një lule për të mbajtur në zyrë dhe sa herë ta shihte atë, ta kujtonte Reçakun.
“Tri vite më parë e mirëprita presidentin Hashim Thaçi, kur erdhi për herë të parë dhe i dhashë një lule për ta mbajtur në zyre, dhe sa herë ta shihte ta kujtojë Reçakun. Më tha se ashtu ka bërë, tani nuk e di se ku është dhe nuk e di nëse e kujton ende Reçakun”, tha Walker
Walker u shpreh se sot me vete në Reçak ka sjellë edhe shokët e tij, siç tha ai “ që të shohin se çfarë do të thotë Kosova për mua, çfarë rëndësie keni ju për mua”.
VIDEO nga Ceremonia përkujtimore në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut