Konjufca: Lavdi e përjetshme!
Mëngjesin e akullt të 15 janarit 1999, fshati Reçak ishte zgjuar nën shtetrrethim të hekurt nga ana e forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe. Fillimisht kishin granatuar fshatin me artileri të rëndë e më pas këmbësoria kishte filluar terrorin shtëpi për shtëpi.
Epilogu i asaj dite të kobshme: 45 civilë shqiptarë të vrarë e të masakruar, prej tyre edhe fëmijë e pleq. Të gjithë civilë të paarmatosur. Askush në Serbi nuk është dënuar për krimin makabër të kryer në Reçak.
Masakra e Reçakut, që tmerroi botën demokratike dhe nxiti intervenimin e NATO-s e dëshmoi projektin gjenocidial të Serbisë ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë.
Lufta çlirimtare kundër Serbisë pushtuese i kushtoi popullit të Kosovës mbi 15.000 jetë njerëzish, duke përfshirë burra, gra, fëmijë dhe pleq; dhjetramijëra dhunime; qindramijëra shtëpi të djegura e të rrënuara; ndjekje, dëbim masiv e deportim të më shumë se gjysmës së popullsisë, si dhe dëme të pallogaritshme ekonomike e materiale. Ndërsa Kosova, 24 vjet pas mbarimit të luftës, ne ende i kërkojmë mbi 1600 persona të zhdukur me dhunë nga forcat serbe.
Më 16 maj 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën nëpërmjet së cilës vendosi që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Gjenocidi në Kosovë ka ndodhur, por Serbia vazhdon ta mohojë atë dhe të mos kërkojë as falje. Për më keq, mohimi vjen nga të njëjtit persona me prirje fashiste, dyshja Vuçiq e Daçiq, që edhe gjatë luftës në Kosovë kanë shërbyer si ministra në regjimin e Millosheviqit.
Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi dhe jemi duke punuar pareshtur që Serbia një ditë të përgjigjet për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Sot dhe përherë, në përvjetorët e gjenocidit, do t’i kujtojmë e nderojmë të gjithë të rënët për liri dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurrë nuk do t’i harrojmë.
U deshën sakrifica e flijime të mëdha për të ardhur këtu ku jemi sot – të lirë e të pavarur në Republikën e Kosovës.
Lavdi e përjetshme!