Rajoni

Drejtoria Detare: Pas mesnate përkeqësohet moti në të gjithë bregdetin

Shpërndaje

Drejtoria e Përgjithshme Detare me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, paralajmëron përkeqësim të motit duke nisur nga ora 01:00 e së hënës, në të gjithë bregdetin shqiptar. Sipas njoftimit, kjo situatë do të vijojë edhe në datat 17 dhe 18 Janar.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike në datën për 16-17-18 Janar 2023 moti do të përkeqësohet duke filluar në orën 01:00 të datës 16 Janar 2023 përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Era do të jetë me drejtimin Jug-Jugperëndim në forcën 6-7bft deri 8bft 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra”.

Për shkak të kësaj situate, autoritetet kërkojnë bashkëpunimin e mjeteve të vogla lundruese dhe të peshkimit, duke theksuar se lundrimi do të jetë i sigurt pas orës 16:00 të 19 Janarit.

“Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për lundrimin e sigurtë për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë pas datës 19 Janar 2023 ora 16:00. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”./tvklan.al