Dëshmitari në rastin ‘Ukë Rugova 2’: Më është dashur të shes lopët që t`i bëj 2500 euro për vizë të djalit
Në rastin ‘Ukë Rugova 2’, sot në Gjykatën e Prishtinës u dëgjuan 5 dëshmitarë, ku u morën në pyetje nga prokuroria për rastin në fjalë.
Dëshmitari Fazli Sinani, deklaroi se në kohën kur ka ndodhur rasti ka kontaktuar me Ragip Gashin, njërin nga të akuzuarit në rast, të cilit pretendon se i ka dhënë 2500 euro, para të cilat më vonë i janë kthyer meqë nuk e kishte marrë vizën.
Dëshmitari në seancë e identifikoi të akuzuarin edhe pse kishte kaluar kohë e gjatë prej se ishin takuar.
Dëshmitari Sinani tregoi para gjykatës se ka qenë i interesuar për një vizë italiane për djalin e tij.
Sinani gjatë deklaratës së tij tha se ishte takuar me të akuzuarin Ragip Gashi dhe i njëjti i kishte kërkuar 2500 euro për një vizë italiane.
Sipas dëshmitarit, ai i kishte sqaruar të akuzuarit Gashi se ato para nuk i ka por do t`i bëj duke i shitur lopët.
“I tregova që jam i interesuar me qit një djalë jashtë, Ragipi më tha do të mundohem, i kam paguar 130 euro për ambasadë, më ka thënë që unë t`i çoj letrat në ambasadë, çmimi për me qit djalin jashtë m`i ka kërkuar 2500 euro, i kam tregu që paratë nuk i kam, por i bëj se i shes lopët e gjendem” – tha dëshmitari në seancë.
Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.
Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.
Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.
Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.
Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.