Projektligji për Trustin sot në Kuvend, sa mjete mund t’i tërhiqni dhe në çfarë afati kohor në rast se nisma kalon
Gjatë ditës së sotme, në seancën e Kuvendit të Kosovës do të jetë në rend dite miratimi i Projektligjit për Trustin, shkruan Reporteri.net.
Derisa partitë opozitare janë shprehur optimistë se sot do të kalojë në lexim të parë Projektligji për Trustin, kundër këtij projektligji janë shprehur partia në pushtet Vetëvendosje, meqenëse deputetë të kësaj partie nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të votojnë pro.
Për kalimin e kësaj nisme, nevojiten shumica e thjeshtë e votave të deputetëve që marrin pjesë në votim.
Në rast se kalon Projektligji për Trustin sa mjete mund t’i tërhiqni?
Projektligji saktëson se kush sa mund ta tërheq varësisht nga shuma e parave që kanë në Trust.
Neni 12 A thotë se pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjetë (10) deri tridhjetë (30) për qind (%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, sipas përshkrimit në vijim:
“1.1. Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë përqind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
1.2. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 Euro deri në 19. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK
1.3. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 Euro deri në 29. 999 Euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetë përqind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
1.4. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 Euro deri në 39. 999 Euro, kanë drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbëdhjete përqind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
1.5. Personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 Euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë përqind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.
Projektligji parasheh që aplikimi për tërheqjen e mjeteve të bëhet brenda gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të Ligjit.
Nisma për tërheqjen e Trustit është proceduar për në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar pasi mori miratimin e Komisionin për Buxhet.
Partia Demokratike e Kosovës, kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Megjithatë ky projektligj nuk kishte marrë dritën jeshile të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në Qershor.
Pas këtij dështimi qytetarët e Kosovës përmes më shumë se 20 mijë nënshkrimeve ishin drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’u lejohet tërheqja e Trustit. /Reporteri.net/