RajoniTop Lajme

Nuk kalon Projektligji për tërheqjen e Trustit

Shpërndaje

Në seancën e mbajtur sot deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë thënë jo një tërheqjeje të re të mjeteve deri në 30 për qind nga Trusti, raporton Gazeta10.

Kundër tërheqjes së Trustit ishin 55 vota nga partia e cila është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa 42 vota të opozitës ishin pro tërheqjes së mjeteve, ndërkohë që nuk kishte asnjë abstenim.

Pas dështimit të iniciativës së qytetarëve që të lejohet tërheqja e deri 30% të mjeteve të trustit, deputetët e opozitës lëshuan sallën.

Projektligji me të cilin kërkohej të tërhiqeshin mjetet e trustit pati shkuar në Kuvend nëpërmjet peticionit me mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Kjo është përpjekja e dytë për tërheqjen e Trustit. Herën e parë e propozoi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e cila dështoi në qershorin e vitit të shkuar, ndërsa kësaj here erdhi në Kuvend pas peticionit të qytetarëve.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti sot seancën e radhës plenare.

Punimet e seancës filluan me njoftimin për emërimin e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të vazhduar më pas me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare.

Me kërkesë të deputetës Time Kadrijaj, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me një minutë heshtje nderoi veteranin e luftës Sabahajdin Cena dhe eprorin e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cenë Aliqkaj.

Tutje, seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-178 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116.

Projektligji në fjalë u prezentua dhe arsyetua nga Bekim Haxhiu, deputet autorizues i kësaj nisme ligjore. Deputeti Haxhiu, ndër të tjera theksoi se votimi i nismës për tërheqje të 30% të trustit do të jetë në të mirë të qytetarëve, sidomos gjatë kësaj periudhe të inflacionit. Duke kërkuar nga deputetët ta votojnë këtë nismë, deputeti Haxhiu potencoi po ashtu se sot është dita kur mund të vërtetohet se njëmend jemi përfaqësues të interesave të qytetarëve, e jo interesave politike e partiake

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, theksoi se kjo nismë nuk e ka marrë mbështetjen e komisionit në fjalë, për arsye mjaft valide.

Ndërkaq, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së deputeti Muja u shpreh se meqë edhe institucionet financiare të vendit dhe ato ndërkombëtare janë kundër tërheqjes së mjeteve financiare nga kursimet pensionale të trustit, për shkak të implikimeve të mëdha buxhetore, ky grup parlamentar nuk e përkrahë projektligjin e lartcekur.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Ferat Shala theksoi se si nismë qytetare, duke iu referuar gjendjes ekonomike aktuale në vend, ky grup parlamentar i jep mbështetje të plotë iniciativës për tërheqje të mjeteve financiare.

Deputeti Avdullah Hoti, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, duke i listuar arsyet pse ky projektligj duhet të mbështetet nga të gjithë deputetët, theksoi se tërheqja e mjeteve financiare ndoshta nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk do i zhdukë krizat aktuale, mirëpo, për momentin, sipas tij, është zgjidhja e vetme që është në dispozicion të qytetarëve.

Në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se kjo nismë është mbi dhe përtej interesit politik dhe partiak të opozitës dhe pozitës. Kjo iniciativë, sipas tij, duhet të trajtohet seriozisht prej këndvështrimit dhe interesit publik dhe qytetar e jo prej lidershipit politik.

Në anën tjetër, nga ana e Qeverisë, ministri Hekuran Murati u shpreh se sot po diskutohet e njëjta temë që ka marrë përgjigje negative nga ky Kuvend, por me arsyetimin dhe argumentin që tash është nismë qytetare e jo nga opozita. Ministri Murati u shpreh se Qeveria e Kosovës ka metoda dhe mënyra të tjera me të cilat i ndihmon qytetarët, e jo me nisma që, sipas tij, kanë për qëllim dëmtimin e skemave pensionale afatgjate.

Pas ezaurimit të debatit rreth projetligjit në fjalë, deputeti autorizues Bekim Haxhiu, duke bërë një përmbledhje të iniciativës dhe duke falënderuar deputetët që kotribuuan me debat, kërkoj nga ta që të votohet në lexim të parë iniciativa ligjore e qytetarëve.

Pas hedhjes në votim, ligjvënësit me 42 vota për, 55 vota kundër dhe asnjë abstentim, nuk miratuan projektligjin në fjalë.

Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës.

Raportin me rekomandime nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë Rini dhe Sport, e prezentoi anëtarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj. Sipas saj, qëllimi kryesor i mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji është vlerësimi i përgjithshëm i zbatushmërisë së ligjit, identifikimi i sfidave të institucioneve përgjegjëse dhe rritja e nivelit të llogaridhënies, si dhe arritja e objektivave të parapara.

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, deputetja Arjeta Fejza ndër të tjera theksoi se synim i përgjithshëm i mbikëqyrjes së Ligjit nr. 06/L-046 është rritja e kualitetit të cilësisë në arsim përmes harmonizimit të legjislacionit, dhe për rrjedhojë ky grup e përkrahë këtë raport.

Në mungesë kuorumi për vendimmarrje, votimi për raportin në fjalë u shty për njërën nga seancat e radhës.