Gjykata Speciale e Hagës liron nga burgu Hysni Gucatin

Shpërndaje

Dhomat e Specializuara në Hagë njoftuan lirimin nga burgu të ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati.

Dënimi ndaj tij është modifikuar, thuhet në deklaratë, ndërsa liria vjen me disa kushte. Gucati i prangosur në 2020-tën, u dënua majin e vitit 2022 së bashku me numrin dy të OVL-UÇK, me katër vite e gjysmë heqje lirie nën akuzën e pengimit të drejtësisë. Çështja u apelua e dënimet u ulën. Por kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pohoi së fundi se Gucati kishte reflektuar për veprimet e tij gjatë qëndrimit në objektin e paraburgimit në Hagë dhe “sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”.

“Trendafilova vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucatit se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, thuhet në njoftim.

Dhomat e Specializuara nënvizuan se nëse Gucati nuk përmbush kushtet në fjalë, atëherë vendimi do të anulohet. Specialja njoftoi po ashtu se po e shqyrton mundësinë që të ndryshojë edhe vendimin e Nasim Haradinajt e ta lirojë edhe atë. Në aktakuzën ndaj tij dhe Gucatit thuhej se ata kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të këtij institucioni, që njihet edhe si Gjykata Speciale.

Akatpadia theksonte se në këto dokumente ka pasur emra të dëshmitarëve potencialë, që mund të dëshmonin në gjyq kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.