Maqedoni

Nesër takimi Kovaçevski-Taravari për hyrjen e ASH-së në Qeveri

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nesër, me gjasë në Qeveri do të ketë një takim me liderin e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, në të cilin do të diskutohet për hyrjen e mundshme të ASH-së në Qeveri.

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët të premten në një seancë në Tetovë, formoi një ekip të përbërë nga lideri Taravari dhe pesë bashkëpunëtorët e tij më të afërt me detyrë të negociojnë nëse partia e tyre do të bëhet pjesë e qeverisë dhe do të zgjerohet shumica qeveritare.

“Ne do të ulemi, tashmë e kemi një strategji, por edhe një herë do të bëjmë atë që planifikojmë të jetë program i Qeverisë nëse zgjerohet dhe cilat do të jenë kushtet tona. Më tutje do të flasim edhe për zgjidhjet e kuadrit. Nëse ata i plotësojnë kërkesat tona, veçanërisht kërkesat e programit, jo aq personel, atëherë do të dëgjojmë edhe anëtarët e ASH-së dhe do të marrim një vendim përfundimtar, shpresoj jo për kohë të gjatë, në një kohë shumë të shkurtër do të vendoset nëse jemi apo vazhdojmë në opozitë, jemi mësuar me opozitë, nuk është problem për ne”, tha Taravari të premten.