Kurti: Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar raportet e Kosovës me Turqinë pas takimit që ka pasur në Stamboll me presidentin Recep Tayyip Erdogan. Në konferencën për media pas darkës së punës, Kurti fjalën e ka nisur duke folë për kulturë e histori.
“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të Presidentin Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit, kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash.Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shek. XVI, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina – Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë.
Për ne Samiu është nga etërit e Rilindjes sonë Kombëtare, për popullin turk ai konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, aty ku student ishte Hasan Prishtina. Emrin e të cilit sot e mbanë Universiteti i Prishtinës”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se “Stambolli ka nisur një pjesë të zgjimit tonë kombëtar”.
Kurti tutje ka thënë se Qeveria po synon të krijojë mjedis për të tërhequr investitorë të huaj.
“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por s’mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”, ka shtuar ai.