Taravari me letër të hapur ambasadorëve: Të ngrisim një front perëndimor kundër murtajës së korrupsionit
Të ngrisim një front perëndimor kundër murtajës së korrupsionit
I nderuar Ambasador i Bashkimit Evropian, David Geer,
E nderuar Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler,
Të nderuar Ambsadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Shkup,
Duke shfrytëzuar qetësinë e kësaj fundjave dimri, po ju drejtohem përmes kësaj letre të hapur për t’ju kërkuar që bashkë të ngrisim një front perëndimor për evropianizimin e vendit, jo me parulla boshe të politikanëve nga të cilat janë stërlodhur dhe dëshpëruar qytetarët e vendit që po na ikin në masë drejt Evropës, por me veprime konkrete për të adresuar brengën e tyre kryesore që ka mbytur shpresat e fundit se në këtë vend ndonjëherë mund të bëhet mirë për ta dhe gjeneratat e ardhshme.
Kjo brengë e tyre, e imja, por edhe e juaja, është murtaja e korrupsionit që ka kapluar çdo pore të shoqërisë, veçanërisht në majat e pushtetit ku aparatçikët partiakë janë të paprekshëm. Ata janë të paprekshëm, sepse drejtësia e partizuar dhe e kurruptuar u garanton imunitet, madje edhe në rastet e hapura nga OLAF për abuzime milionëshe me paratë e tatimpaguesit evropian.
Po bëhen 4 vjet që ish-Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski (SDSM) u kap duke kurdisur tender korruptues në vlerë prej 7 milionë euro të financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Poashtu po bëhen 4 vjet që ish-Sekretari shtetëror i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jahi Jahiu (BDI) u kap duke marrë ryshfet prej 40.000 euro për të kurdisur një tender në vlerë prej 1 milion euro nga fondet IPA.
Gati 3 vjet më parë, u zbulua se Drejtoresha e Agjencisë për Programe Arsimore Evropiane, Lidija Dimova (SDSM) ka keqpërdorur qindra mijëra euro nga fondet e Erasmus+ dhe programe tjera arsimore evropiane, në emër të granteve për stërvitje të gomarëve, kuajve dhe parukerisë. E njëjta kishte akuzuar paraardhësin e saj, Darko Dimitrov (VMRO-DPMNE), se në periudhën 2016-2019 ai kishte abuzuar me 2.2 milionë euro nga Erasmus+ duke i transferuar në mënyrë korruptive në disa shoqata kriminale.
Logjika e shëndoshë do të thoshte se Maqedonia e Veriut, si vend i cili pret për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të kishte zgjidhur me prioritetin më të lartë këto raste korruptive me para të tatimpaguesit evropian, për të dërguar mesazh se vendi zbaton politikë të tolerancës zero ndaj abuzimeve me fonde evropiane.
E vërteta është krejt ndryshe. Thirrjet e raporteve të progresit për dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë ngelin letër e vdekur dhe që të gjithë këta zyrtarë të korruptuar bredhin të lirë.
Kjo është pasqyra më e mirë e sistemit të kapur të drejtësisë. Edhe përkundër milionave të investuara në gjyqësor dhe në prokurori nga BE dhe SHBA, gjyqtarët dhe prokurorët e partizuar dhe të korruptuar u sigurojnë pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë të partive politike. Dhe kur pandëshkueshmëria është rregull edhe kur abuzohen fondet evropiane, çfarë mund të presin bizneset dhe qytetarët tanë kur atyre u shkelen të drejtat e tyre apo u imponohet ryshfeti nga zyrtarët e shtetit?
Si vend që synon të futet në BE, Maqedonia e Veriut duhet të ketë shtetin e së drejtës synim parësor. Tatimpaguesit dhe investitorit evropian duhet t’i garantohet standard evropian në drejtësi: Gjykata e Tetovës dhe Gjykata e Velesit duhet të garantojnë zbatim të njëjtë të ligjeve evropiane me Gjykatën e Frankfurtit apo Gjykatën e Madridit. Ndryshe nuk ka kuptim anëtarësimi i vendit në BE dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të bëhet Evropë.
Andaj, të nderuar ambasadorë të vendeve mike perëndimore, ju bëj thirrje që së bashku t’i përveshim mëngët dhe t’i shpallim luftë partizimit të drejtësisë dhe të korruptuarve në çdo nivel të qeverisjes.
Zgjidhja është e thjeshtë dhe atë e kam diskutuar në detaje me disa prej jush në kuadër të pakos për shtetin e së drejtës të përgatitur nga ekspertët e Aleancës për Shqiptarët. Sipas nesh, lufta kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë duhet të fokusohet në tre akse kryesore:
1. Vetingu në drejtësi, në politikë dhe në administratë.
2. Konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
3. Dyfishimi i investimeve në drejtësi dhe në institucionet antikorrupsion për të siguruar pavarësinë dhe efektshmërinë e tyre.
Propozimet e Aleancës për Shqiptarët për shtetin e së drejtës janë sa të domosdoshme aq edhe të zbatueshme, nëse ka vullnet politik përbrenda dhe jashtë. Koha për të vepruar është tani.