Pas tërmetit shkatërrues një numër vendesh përgatiten të ofrojnë ndihmë për Türkiye-n
Një numër i madh vendesh shprehën gatishmërinë për të ofruar ndihmë për Türkiye-n pasi pjesët juglindore të saj u goditën mëngjesin e sotëm nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter, raporton Anadolu.
Në përputhje me udhëzimet e dhëna nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev për qeverinë, një avion ndihmash i përbërë nga tenda dhe pajisje mjekësore do të niset së shpejti për në Türkiye.
Ministria e Emergjencave të Azerbajxhanit njoftoi se një ekip kërkim-shpëtimi prej 370 personash do të dërgohet në Türkiye.
Ministri i Jashtëm izraelit, Eli Cohen shprehu keqardhje për tërmetin në Türkiye dhe urdhëroi një program ndihme urgjente. “Në emër të Izraelit, do të doja t’i përcjell ngushëllimet tona më të thella popullit turk për tërmetin që ndodhi në Türkiye-n jugore”, tha Cohen.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoaz Gallant udhëzoi ushtrinë izraelite dhe institucionet e ministrisë për të ofruar ndihmë humanitare.
Më herët, autoritetet e SHBA-së thanë se vendi është i gatshëm t’i ofrojë të gjitha llojet e ndihmës Türkiye-s.
“SHBA-ja është thellësisht e shqetësuar për raportet e tërmetit të sotëm shkatërrues në Türkiye dhe Siri. Jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme. Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka udhëzuar USAID-in dhe partnerët e tjerë të qeverisë federale që të vlerësojnë opsionet e reagimit të SHBA-së për të ndihmuar më të prekurit. Do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në bashkëpunim me qeverinë e Türkiye-s”, tha më herët sot këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Udhëheqësit e Indisë shprehën gjithashtu ngushëllimet e tyre për humbjen e jetëve dhe infrastrukturës në tërmetin e fuqishëm që goditi rajonin juglindor të Türkiye-s të hënën në mëngjes.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se India qëndron në solidaritet të fortë me popullin e Türkiye-s dhe është e gatshme t’i ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme shtetit turk për të përballuar këtë tragjedi.
Kujtojmë se të paktën 284 persona kanë humbur jetën ndërsa 2.323 të tjerë janë plagosur nga tërmeti me magnitudë 7.4 ballë që goditi juglindjen e Türkiye-s të hënën në mëngjes.
*****
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas tërmetit me qendër në Kahramanmaraş njoftoi se aleatët janë në solidaritet të plotë me Türkiye-n dhe se janë mobilizuar për ndihmë, transmeton Anadolu.
Stoltenberg bëri një postim nga llogaria e tij Twitter lidhur me tërmetin 7.4 ballë me epiqendër në rajonin Pazarcık, në qytetin Kahramanmaraş dhe i cili ka prekur gjithsej 10 qytete.
“Jemi në solidaritet të plotë me Türkiye-n. Jam në kontakt me presidentin Erdoğan dhe ministrin e jashtëm Çavuşoğlu. Aleatët e NATO-s aktualisht janë mobilizuar për ndihmë”, tha Stoltenberg.
*****
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka përcjellë presidentit Recep Tayyip Erdoğan një mesazh ngushëllimi për personat që kanë humbur jetën në tërmetin 7.4 ballë me epiqendër rajonin Pazarcık në qytetin Kahramanmaraş të Türkiye-s, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Pallati i Kremlinit thuhet se Putin i ka dërguar Erdoğan-it një telegram për shkak të tërmetit me qendër në Kahramanmaraş.
“Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të thella për humbjet e shumta të jetëve dhe shkatërrimeve të mëdha të shkaktuara nga tërmeti në vendin tuaj. Ju shpreh t‘i përcillni trishtimin dhe mbështetjen time familjeve dhe për afërmve të atyre që kanë humbur jetën si dhe urimin tim për shërim të shpejtë për ata që janë plagosur si pasojë e fatkeqësisë. Ne jemi të gatshëm të sigurojmë ndihmën e nevojshme për këtë çështje”, ka thënë Putin në mesazhin e tij drejtuar presidentit Erdoğan.
*****
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy publikoi një mesazh ngushëllimi për viktimat që humbën jetën nga tërmeti 7.4 ballë, epiqendra e të cilit ishte në rrethin Pazarcık të Kahramanmaraşit të Türkiye-s dhe preku gjithsej 10, transmeton Anadolu.
Zelenskyy përcolli ngushëllimet e tij për Türkiye-n në postimin nga llogaria e tij në rrjetet sociale.
Në postimin e tij në turqisht, Zelenskyy tha: “I shpreh ngushëllimet e mia presidentit Recep Tayyip Erdoğan, popullit turk dhe familjeve të atyre që humbën jetën në tërmetin në Türkiye dhe uroj shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Ne jemi me popullin turk në këtë periudhë të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e fatkeqësisë”.
*****
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka shprehur ngushëllimet e tij popullit dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.
Pendarovski përmes një postimi në Twitter tha: “Ngushëllimet e thella për familjet e viktimave, presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe popullin turk në këto momente të vështira pas tërmetit të tmerrshëm që goditi Türkiye-n. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejt”.
Me një postim të ngjashëm ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili ndër të tjera shprehu gatishmërinë për të ofruar ndihmë.
“Të tronditur nga tërmeti shkatërrues në Türkiye dhe Siri mëngjesin e sotëm, i cili rezultoi me qindra viktima. Ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta, kurse urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit. Jemi të gatshëm që të ofrojmë ndihmë”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Kujtojmë se të paktën 284 persona kanë humbur jetën dhe 2.323 të tjerë janë plagosur nga tërmeti 7.4 ballë që goditi juglindjen e Türkiye-s të hënën në mëngjes.
****
Zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar për tërmetin shkatërrues në Türkiye, duke shprehur solidaritetin me shtetin dhe popullin turk, transmeton Anadolu.
Në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan se është thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiye-n dhe Sirinë këtë mëngjes.
“Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata”, shkruan Begaj.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në rrjetet sociale shkruan se janë të pikëlluar nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Türkiye-n juglindore. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Mustafa Şentop”, shkruan Nikolla.
Për tërmetin, ka reaguar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila në rrjetet sociale shkruan: “Lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Türkiye-n dhe Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë moment të vështirë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Türkiye-n në çdo mënyrë që mundemi”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në rrjetet sociale shkruan se shpreh solidaritet të plotë me njerëzit në Türkiye.
“Zemra ime është me gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Türkiye. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe uroj një shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit. Solidaritet i plotë me njerëzit e Türkiye-s. Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme përfshirë përmes FSK-së”, shkruan Osmani.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritete turke, të paktën 284 persona kanë humbur jetën dhe 2.323 të tjerë janë plagosur në 10 provinca që u goditën nga tërmeti shkatërrues në pjesët jugore të Türkiye-s të hënën në mëngjes.
Tërmeti ka shkaktua qindra viktima dhe të plagosur edhe në Siri.