Kryeministri Kurti: Nënë Tereza afirmoi kombin tonë, sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar

Shpërndaje

Në 25-vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bënë homazhe te shtatorja e saj në Prishtinë.

Nga një bijë e popullit tonë, ajo u bë nëna e gjithë botës dhe sot ne teksa e kujtojmë atë dhe e nderojmë figurën e saj, njëkohësisht edhe e afirmojmë shembullin, që duhet të ndjekë gjithsecili, duke punuar me dashuri dhe sakrificë për të mirën e të gjithëve, tha Kryeministri Kurti.

Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës, tha ai, duke shtuar se në këtë mënyrë, ajo afirmoi edhe kombin tonë, sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Dje shënuam 6-vjetorin e shenjtërimit të Nënës Terezë, ndërkaq sot po shënojmë 25-vjetorin e shkuarjes së saj në amshim.

Jeta e Nënës Terezë është vepra për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun. Nga një bijë e popullit tonë, ajo u bë nëna e gjithë botës dhe sot ne teksa e kujtojmë atë dhe e nderojmë figurën e saj, njëkohësisht edhe e afirmojmë shembullin, që duhet të ndjekë gjithsecili, duke punuar me dashuri dhe sakrificë për të mirën e të gjithëve.

Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja e saj dhe nuk i mori asgjë botës.

Në këtë mënyrë, ajo afirmoi edhe kombin tonë, sepse sakrifica është edhe vlerë tradicionale e popullit shqiptar.