Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë pas aktgjykimit në Hagë: S’mund të barazohet agresori me viktimën
Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë pas aktgjykimit dënues në Hagë prej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Leximin e kësaj deklarate e ka bërë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Në deklaratë thuhet se një aktgjykim i tillë nuk mund ta rishkruajë historinë e një populli të tërë dhe ta barazojë viktimën me agresorin.
“Një aktgjykim s’mund të rishkruajë historinë e një populli dhe të zhvlerësojë karakterin dhe të barazojë agresorin me viktimën. Kuvendi shpreh shqetësimin për standardet e dyfishta. Nderimet publike që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte cenojnë nderimin e viktimave. Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Rusisë dhe Serbisë për të relativizuar krimet e Millosheviqit dhe delegjitimuar luftën çlirimtare”, thuhet në deklaratë.
Aty thuhet se Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet me Kosovën, popullin dhe pranë ish-krerëve të UÇK-së.
“E palëkundur mbetet e vërteta historike. UÇK luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Kuvendi pret që mjetet juridike dhe shkallët e procesit të ndiqen deri në fund. Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që në forumet ndërkombëtare të dënojë krimet e Millosheviqit, përfshirë krimet gjenocidiale dhe seksuale gjatë luftës, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat”, thuhet në deklaratën e lexuar nga Niko Peleshi.

