Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
Eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët do të përfshihen në Kushtetutë, si kusht për vazhdimin e procesit eurointegrues.
Në një intervistë për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), e pyetur se si mund të ndikojë që Shkupi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, Kos tha se beson që, së bashku me Qeverinë e re bullgare, do të gjendet një mënyrë për ta çuar përpara procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut.
“Kam besim te Qeveria e re bullgare, me të cilën bashkëpunoj shumë mirë. Të gjithë së bashku do të gjejmë një mënyrë për ta çuar përpara procesin me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Kos.
Ajo shtoi se Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet ta përmbushë premtimin e dhënë dhe ta ndryshojë Kushtetutën.
“Ata duhet ta ndryshojnë Kushtetutën. Kjo është dakorduar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Pasi kjo të realizohet, do të llogaris edhe në mbështetjen e vendit tuaj, në mënyrë që të mund të ecim përpara edhe me Maqedoninë e Veriut”, theksoi Kos.
Duke folur për procesin e zgjerimit, Kos vlerësoi se Mali i Zi është vendi më pranë anëtarësimit në BE, ndërsa për Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën po përgatiten udhërrëfyes me hapat e mundshëm teknikë që duhet të ndërmerren deri në përfundimin e mandatit të Komisionit Evropian.
Sipas saj, përparimi i dy vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’i motivojë edhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën që të ecin përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

