Mickoski nga SHBA-ja: Mundësi të reja për investime dhe thellim të partneritetit strategjik
Në kuadër të vizitës në Uashington, Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, së bashku me delegacionin qeveritar, zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik, ku në fokus ishin thellimi i partneritetit strategjik ndërmjet dy shteteve, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Mickoski zhvilloi një takim me Caroline Vik, drejtoreshë kryesore për politikat dhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës kryesore për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financim të Zhvillimit Ndërkombëtar – DFC, institucion që disponon një kapacitet investues prej 205 miliardë dollarësh dhe përfaqëson një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për mobilizimin e kapitalit privat dhe investimeve në sektorë strategjikë.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe investimeve potenciale në Maqedoni në disa fusha, me theks të veçantë në energjetikë, teknologji të avancuara dhe sektorë të tjerë strategjikë. DFC, në veprimtarinë e saj, i kushton vëmendje të veçantë energjetikës, infrastrukturës moderne dhe teknologjive të avancuara, ndërsa pas zgjerimit të kompetencave të saj, disponon një kapacitet dukshëm më të madh për investime ndërkombëtare.
Vizita në Uashington u shfrytëzua gjithashtu për një sërë takimesh politike me përfaqësues të Kongresit amerikan.
Kryetari i Qeverisë zhvilloi takim me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në takim u diskutua për rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për interesat e përbashkëta të të dyja vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Mickoski zhvilloi takim edhe me kongresmenen Claudia Tenney, bashkëkryetare e Grupit të Miqësisë me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e marrëdhënieve tradicionalisht të forta dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësia e bashkëpunimit parlamentar, dialogut politik dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve.
Seria e takimeve në Uashington përfaqëson vazhdimësi të përpjekjeve për forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, por edhe për shndërrimin e tij në bashkëpunim konkret ekonomik, investime të reja dhe projekte me interes për vendin tonë.
Përkushtimi për avancimin e partneritetit, respektimi i vlerave të përbashkëta dhe ndërtimi i marrëdhënieve të qëndrueshme dhe afatgjata maqedono-amerikane mbeten një bazë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

