Osmani: Koha e dominimit të një kombi, mbi të tjerët, ka mbaruar

Shpërndaje

Kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani mbrëmë në tubimin para qytetarëve të Manastirit ka shpalosur vizionin e tij si president i ardhshëm i vendit.

“Manastiri është vendi më i përshtatshëm nga ku mund të dërgoj mesazh, sepse Manastiri është Maqedonia në miniaturë dhe vizioni im si president europian përmes Frontit Europian është të krijoj një unitet të fortë ndërmjet të gjitha bashkësive etnike dhe të gjithë qytetarëve në rrugën tonë drejt Europës. Votuesit janë ngopur me përçarjet, me mesazhet e partive politike që kërkojnë 61 deputetë për të përjashtuar të tjerët, për të përjashtuar shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, romët …”, tha Osmani.

Ai shtoi se koha e dominimit të një kombi mbi të tjerët ka mbaruar. “Maqedonasit do të jenë më të lumtur dhe më të kënaqur, nëse fqinjët e tyre janë të lumtur, të kënaqur dhe të barabartë”, përfundoi Osmani.