RajoniTop Lajme

Bosch sugjeron se presidenti i ardhshëm i Kosovës mund t’i falë të dënuarit nga Specialja

Shpërndaje

Roberth Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë, e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Në një intervistë për KosovaPress, ai u shpreh i habitur që prokurorët dhe trupi gjykues nuk morën në konsideratë rrethanat në të cilat ishte zhvilluar lufta në Kosovë, si dhe dëshmitë e ekspertëve ndërkombëtarë që ishin marrë me këtë çështje më shumë se një çerek shekulli më parë.

Bosch: Në Speciale po anashkalohet fakti se gjatë luftës në Kosovë nuk ekzistonte iPhone

Bosch tha se vendimi është skandaloz dhe se gjyqtarët e prokurorët nuk i kanë dëgjuar ekspertët, të cilët kishin shpjeguar se UÇK-ja nuk funksiononte sipas një strukture të tillë. Sipas tij, këtë e kishin nënvizuar zoti Clark, zoti Hill, zoti Rubin dhe ekspertë të tjerë të mirëfilltë.

Ai shtoi se të njëjtën gjë e kishte theksuar edhe vetë, por pretendoi se qëndrimi i tij nuk ishte dëgjuar, ndonëse në atë periudhë kishte shërbyer si person kontakti ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas Bosch, në atë kohë thuhej vazhdimisht se UÇK-ja përbënte “çizmet në terren”, pra forcat që vepronin në terren, por komunikimi me të ishte shumë i vështirë pikërisht për shkak të mungesës së një strukture. Ai pyeti se si mund të akuzohen Thaçi dhe Rexhepi për koordinim, nëse një koordinim i tillë nuk ekzistonte.

Ish-diplomati kujtoi gjithashtu se ngjarjet kishin ndodhur 26 vjet më parë, në një periudhë kur nuk kishte telefona portativë dhe iPhone nuk ekzistonte. Komunikimi, sipas tij, duhej të realizohej përmes telefonave satelitorë, të cilët shpesh nuk funksiononin. Bosch tha se edhe ai vetë i kishte përdorur dhe, për këtë arsye, ishte shumë e vështirë të realizohej çfarëdo forme koordinimi.

Diplomati, i cili disa herë ka pranuar se është penduar që kishte qenë në anën e atyre që kërkonin krijimin e Speciales, vlerësoi se zhvillimet e mëvonshme kanë treguar se kjo gjykatë duhet të pushojë së ekzistuari.

Bosch: Kjo gjykatë nuk duhej të krijohej

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk duhej të ekzistonte, pasi i gjithë procesi kishte nisur nga raporti i Martyt, në të cilin flitej për trafikim organesh. Bosch tha se, po të kishte qenë i vërtetë një pretendim i tillë, kjo do të ishte natyrisht diçka e tmerrshme.

Ai shpjegoi se shqetësimi i krijuar bëri që raportit të Martyt t’i besohej dhe të kërkohej një hetim serioz, duke i hapur kështu rrugën gjithë procesit. Megjithatë, sipas Bosch, pasi gjyqtari Ëilliamson zhvilloi hetimet dhe rezultoi se nuk kishte trafikim organesh, por vetëm histori të sajuara, gjithçka duhej të ishte ndalur.

Bosch theksoi se nuk kishte më asnjë arsye për vazhdimin e procesit, pasi pretendimi për trafikim organesh kishte qenë shkaku i vërtetë për krijimin e gjykatës. Për këtë arsye, sipas tij, ajo nuk duhej të ishte themeluar dhe as të ekzistonte.

I zhgënjyer nga verdikti i shkallës së parë, Bosch tha se nuk pret ndonjë zhvillim pozitiv as në shkallën e dytë. Ai shprehu gjithashtu habi lidhur me përkatësinë kombëtare të personave që japin drejtësi në këtë proces.

Bosch: Gjykata është e Kosovës, financohet nga evropianët, ndërsa drejtësinë e japin amerikanët

Bosch deklaroi se nuk pret shumë nëse shqyrtimin do ta bëjnë sërish pak a shumë të njëjtët persona. Ai tha se, për një arsye që nuk e kupton, të gjithë vijnë nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse bëhet fjalë për një gjykatë të Kosovës që financohet nga evropianët, ndërsa prokurorët dhe gjyqtarët janë amerikanë.

“Nuk kuptoj asgjë. Nuk e kuptoj se si mund të ndodhin gjëra të tilla. Nuk e di”, u shpreh Bosch.

Megjithatë, përballë situatës së krijuar nga ato që ai i cilësoi si dënime drakonike, Bosch tha se mund të ekzistojë një mundësidaljeje përmes institucioneve të Kosovës.

Bosch: Presidenti i ardhshëm i Kosovës mund t’i falë të dënuarit

Ai kujtoi se gjyqtari e kishte nisur duke deklaruar se bëhej fjalë për një gjykatë të Kosovës. Nisur nga kjo, Bosch ngriti pyetjen nëse presidenti, sapo Kosova ta ketë një të tillë, mund t’i falë të gjithë të dënuarit, ndonëse pranoi se ideja e tij mund të tingëllojë e pakuptimtë.

Sipas tij, në një shtet normal presidenti gëzon kompetencën për faljen e personave të caktuar. Bosch pyeti nëse, pasi LDK-ja dhe VV-ja të arrijnë më në fund një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, ky i fundit mund t’i falë të dënuarit.

Ai tha se po e shtronte këtë vetëm si pyetje, por se një mundësi e tillë do të ishte logjike. Sipas Bosch, nëse pretendohet se kjo është një gjykatë e Kosovës, atëherë ajo duhet të jetë nën juridiksionin e Kosovës. Ai pyeti se kush është autoriteti kryesor në vend, duke shtuar se nuk janë ata, por presidenti.

“Gjithsesi, për ta mbyllur me një notë pozitive, ndoshta është një ide e mirë”, deklaroi ai.

Deri në realizimin e një mundësie të tillë, holandezi mbetet i bindur se Serbia është e vetmja palë që përfiton nga ky proces.

Bosch: Serbia po qesh me verdiktin e Speciales

Bosch vlerësoi se vendimi është shumë negativ për Kosovën, ndërsa u shërben vetëm serbëve, të cilët, sipas tij, janë shumë të lumtur. Ai tha se vazhdon ta konsiderojë të çuditshëm të gjithë procesin, pasi edhe në raportin e Martyt thuhej se shumica e krimeve ishin kryer nga serbët.

Në këtë kontekst, ai pyeti se përse nuk është ngritur një gjykatë speciale kundër serbëve. Bosch deklaroi se Serbia nuk i ka dënuar njerëzit e saj, se ata vazhdojnë të jenë pjesë e qeverisë dhe se një prej personave më kriminalë ndodhet në krye të forcave të armatosura, ndërsa të tjerët, sipas tij, qëndrojnë dhe qeshin.