Niset kontingjenti i FSK-së në operacionin e kërkim- shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi
Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm.
Task-forca jonë përbëhet nga specialistët tanë në kërkim- shpëtim urban, mjekësi emergjente dhe njësitë e K9.
Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim- shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit.
Republika e Kosovës ka ushtrinë profesionale me moral të lartë për të qenë në shërbim të vendit dhe vendeve e popujve miq kudo dhe kurdo që shfaqet nevoja.