RajoniTop Lajme

Kosovë, 8 shkurti shpallet “ditë zie shtetërore” pas tërmeteve në Türkiye

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bazuar në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, 8 shkurtin 2023 e ka shpallur ditë zie shtetërore në Kosovë pas pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Türkiye, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar, transmeton Anadolu.

Osmani në rrjetet sociale tha se përballë tragjedive të tilla “duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje” dhe theksoi se “dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona”.

“Mendimet dhe lutjet tona sot, sikurse edhe dje janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga ky tërmet e solidarizimi ynë është i plotë. Ushtarakët tanë tashmë gjinden në Türkiye ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen”, shkroi Osmani.

Osmani tha se tragjedia në Türkiye dhe Siri ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë Kosovën, duke zgjuar dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit e tyre, por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja.

“Teksa kujtojmë viktimat, nderojmë trimërinë dhe qëndresën e atyre që po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e çdo jete nën rrënoja. Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, shkroi tutje Osmani.

Sipas shifrave të fundit, të paktën 3.549 persona kanë humbur jetën dhe 22.168 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve të fuqishëm gjatë ditës së djeshme në Türkiyen jugore. Po ashtu mbi 8 mijë persona deri më tani janë shpëtuar nga rrënojat.