Pas ministrave të BDI-së, priten të dorëhiqen edhe 5 ministra të LSDM-së!?

Shpërndaje

Qeveria po vijon strategjinë e saj përmes presioneve ndaj opozitës para ndryshimeve kushtetuese. Duke ndjekur shembullin e BDI-së, dorëheqje me kusht pritet të japin edhe ministra të tjerë në Qeverinë e kryeministrit Dimitar Kovaçevskit.

Sipas informacioneve të TV 24, pesë ministra nga LSDM deri te kryeministri Kovaçevski do të dorëzojnë dorëheqje të kushtëzuara, që VMRO-DPMNE të votojë ndryshimet kushtetuese dhe të bëhet pjesë e një Qeverie pa BDI-në, ashtu siç ishte një nga kushtet e saj.

Mirëpo, ende nuk dihet se cilat poste ministrore LSDM ia ofron kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, dhe nuk ka të dhëna nëse në mesin e tyre do të jetë edhe posti i kryeministrit, të cilin Kovaçevski e ka ofruar tashmë një herë.

Ndërkohë, deri tani opozita nuk dihet se a do të ndryshojë mendje deri më 18 gusht, kur fillon seanca parlamentare për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, raporton TV24.

E ndërsa Kovaçevski dhe Ahmeti po kërkojnë një mënyrë për të arritur 80 votat që nuk i kanë, shumica tashmë është një hap përpara. Ata kanë shkruar të ashtuquajturin Manifest për negociatat me BE-në.

Dokumenti është promovuar nga LSDM, BDI dhe partitë e tjera dhe përmes tij kërkojnë bashkimin e të gjitha partive parlamentare rreth procesit të integrimit evropian.

Por, VMRO-DPMNE në këtë dokument nuk sheh tentativë për bashkim, por një hap me të cilin qeveria edhe një herë humb mundësinë e konsensusit për amendamentet kushtetuese.

Edhe pse plani i qeverisë ishte që ndryshimet kushtetuese të votoheshin deri në fund të nëntorit, kur përfundon procesi i shqyrtimit, qeveria po ndryshon retorikën. Sipas Kovaçevskit, nuk ka afat kur bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë, sepse për seancën e dytë ndërqeveritare, BE-ja do të presë këtë lëvizje të Maqedonisë. Por ndërkohë, kjo do të thotë se vendi mbetet pas Shqipërisë, e cila pas procesit të skriningut hap grupet pa kushte shtesë që ka Maqedonia me propozimin francez.