Kurti: Rryma dhe uji i papaguar në veri që nga 1999, i ka kushtuar shtetit 337 milionë euro
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, u kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit 320 milionë euro në faturat e papaguara të energjisë dhe 17 milionë euro në faturat e furnizimit me ujë që nga viti 1999.
Kurti ka shtuar se këto struktura paralele pengojnë edhe zbatimin e marrëveshjes energjetike arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto komuna u rrit me 70+% në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Sipas Kurtit Kosova ka humbur 300 milionë të tjera për shkak se Serbia i ka detyruar tregtarët e energjisë elektrike, t’ia paguajnë TVSH-në e energjisë elektrike Serbisë.
“Që nga viti ’99, Kosova ka humbur 300+ milion euro të tjera për shkak të veprimeve të Serbisë, si refuzimi i dhënies së tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që t’i paguajnë TVSH-në Serbisë për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi i kushtoi Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, ka shkruar Kurti.
“Sigurisht që për këto padrejtësi nuk kanë faj qytetarët tanë në komunat veriore. Ata e kuptojnë dhe pranojnë se pagesa për shërbimet bazë si energjia elektrike dhe uji është normale dhe se kjo do të mundësonte investimet e nevojshme për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve”, ka shtuar ai.
Serbia-controlled parallel structures in Kosova's northern municipalities have cost citizens and taxpayers in the rest of the country 320M euros in unpaid energy bills and 17M euros in water supply bills since 1999.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 12, 2023