RajoniTop Lajme

Kurti për planin franko-gjerman: Nga vizita e 20 janarit emisarët më thanë “merre ose lere”

Shpërndaje

Për herë të parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar përmbajtjen e propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai tha se ky plan është i tipit të marrëveshjes me njohjen de facto në mes të dyja vendeve.

Sipas shefit të ekzekutivit, plani i BE-së plani është model i marrëveshjes së dy Gjermanive, e vitit 1972, parasheh pranimin e parimit të barazisë mes palëve në nivel ndërkombëtar, zgjidhjen e konflikteve e respektimin e territorit, heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i Kosovës për aplikim në organizatat ndërkombëtare, njohjen e njëra-tjetrës në arenën ndërkombëtare, njohjen e dokumenteve.

“Dy norma me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. E para, normën që përcaktonte se komunitet serbë në Kosovë do të ketë një të drejtë të vetmenaxhimit në përputhje me instrumentet e konventat e Këshillit të Evropës ashtu sikurse ka çdo komunitet në vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe dy, formalizimin e statutit të Kishës Ortodokse Serbe gjë që veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në ligjin për komunitetet fetare. Pika dhjetë e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se kanë komentuar këtë version duke thënë që kanë kërkuar të diskutohet për njohjen reciproke de jure e përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë.

Kurti mes tjerash i ka renditur edhe arsyet që e kanë shtyrë të pranojë planin e BE-së.

Sipas tij, është hera e parë që viheshin në fokus marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit. Kurti tregon se ky propozim rregullon standardin e marrëdhënieve politike e juridike mes dy vendeve, njohjen de facto. “Propozimi garanton se marrëveshja finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmen e afërt dhe ajo do të jetë obligim për Serbinë para anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë, më e rëndësishmja konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave që tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, maksimumi që mund të nënkuptonte një vetrregullim është ajo që parasheh Kushtetuta në nenin 22 të saj”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i qeverisë thotë se propozimi kishte edhe një pikë kontestuese. “E vetmja pikë kontestuese ishte ajo e pranimit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, shumica e të cilave, fatkeqësisht kanë në përmbajtje elementin monoetnik, territorial dhe të monopolizimit të përfaqësimit të komuniteti serbë në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”.

Versioni final i ardhur më 20 janar nga vizita e ndërkombëtarëve shoqërohej edhe nga një plan zbatimi që kishte në referencë një statut që do ta hartonte ekipi menaxhues obligim që rrjedhë nga marrëveshja e vitit 2013.

“Më datë 20 janar 2023 emisarët që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët gjermanë, francezë, amerikanë e italianë i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit. Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit “merre ose leje, nuk do të lejohet hapja e negocimi i tij.

Qëndrimi i tyre ishte se gjithë aparati diplomatik është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritej një jo nga Kosova se mund të hynim në rrugë të konfrontimit me ta. Ata po ashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi do të pasohej me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik ndaj Kosovës”, u shpreh Kurti.