BotaTop Lajme

NATO do të dërgojë mbi 1 mijë kontejnerë në Türkiye për strehimin e të mbijetuarve nga tërmetet

Shpërndaje

NATO po përgatitet për transportin e mbi 1 mijë kontejnerëve anijesh që do t’i dërgojë në Türkiye për strehimin e njerëzve të prekur nga tërmetet e javës së kaluar që goditën pjesën jugore të vendit, transmeton Anadolu.

“Kjo dërgesë është në gjendje të strehojë të paktën 2 mijë njerëz të zhvendosur nga tërmetet në Türkiye dhe përbëhet nga më shumë se 1 mijë kontejnerë transporti”, njoftoi Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli përmes një postimi në twitter.

“NATO ka filluar të përshpejtojë grumbullimin e këtyre pajisjeve dhe pritet të jetë në gjendje të fillojë bartjen e dërgesës së parë që në fillim të javës së ardhshme”, thuhet gjithashtu në postim.

Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimin (NSPA) ka filluar të lëvizë drejt portit kontejnerët e ruajtur në Qendrën Operative Jugore në Taranto, Itali, për t’i dërguar ato në Türkiye.

Sipas shifrave të fundit zyrtare, mbi 35 mijë njerëz humbën jetën dhe mbi 105 mijë të tjerë u plagosën në dy tërmetet vdekjeprurëse që tronditën Türkiyen jugore.

Nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë me qendër në Kahramanmaraş u prekën mbi 13 milionë njerëz në dhjetë provinca turke, përfshirë Adımayan, Gaziantep dhe Hatay.

Po ashtu edhe në Sirinë fqinje të paktën 3.688 persona humbën jetën dhe mbi 14.749 u plagosën.