Djali i Talat Xhaferit, prokuror i ardhshëm
Ende pa u zbardhur se si Barlet Xhaferi, i biri i spikerit të Kuvendit, Talat Xhaferit, kishte arritur të “hyjë” në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, ai u gjend në listën e publikuar dje si një ndër prokurorët e ardhshëm të vendit.
Në prill të vitit të kaluar, Komisioni Antikorrupsion mori njoftime se Barlet Xhaferi, kishte arritur të regjistrohet në akademi pa i plotësuar kushtet për këtë, përkatësisht pa e pasur provimin e jurisprudencës. Por, me këtë ritëm, mund të thuhet se pa përfunduar hetimet e komisionit për antikorrupsion kundër tij, Barlet Xhaferi do të jetë në pozicion që vetë të hetojë krime.
Më herët, kryetarja e komisionit Antikorrupsion kishte deklaruar se ekziston mundësi ligjore që këtij të fundit, t’i merret certifikata e provimit të Jurisprudencës por pas përfundimit të hetimeve, megjithatë, këto deklarata nuk kishin ndikuar deri te Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik që të stopojë përkohësisht shkollimin e tij apo, të mos i mundësojë diplomimin pa u zbardhur deri në fund rasti.
Hetimet për këtë rast janë shumë të vështira për shkak se dokumentet që kanë të bëjnë me këtë, ishin zhdukur nga ministria e Drejtësisë ndërkaq Alsat mësoi që Barlet Xhaferi, provime të jurisprudencës kishte dhënë edhe në kohën kur ministër ka qenë Adnan Jashari nga Bashkimi Demokratik për Integrim. /Alsat/