Sherr mes disa të miturave në Tiranë, katër vajza rrahin keq shoqen e tyre në oborr të shkollës (Video)
Një ngjarje aspak e këndshme ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, shihet një grup vajzash të mitura të cilat dhunojnë në mënyrë brutale një bashkëmoshatare të tyre.
Nga pamjet dëgjohen vajzat të cilat ofendojnë me një fjalor banal dhe qëllojnë në fytyrë dhe trup shoqen e tyre.
Policia e Shqipërisë ka arritur t’i identifikojë katër vajzat që ushtruan dhunë si dhe të miturin që filmoi këtë akt.
Sherri mes vajzave në Tiranë, policia shoqëron 5 të mitur
Policia e Tiranës ka shoqëruar 5 fëmijët e mitur, të cilët u përfshinë në një konflikt fizik jashtë ambienteve të shkollë ‘Kongresi i Manastirit’. Sipas policisë në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
‘Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Pas verifikimeve të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën “3 Dëshmorët”, dhe jo në ambientet e shkollës “Kongresi i Manastirit”.
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.’- njofton policia.