Taravari shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Milaim Fejzi: E kujtojmë veçse me nderim këtë personalitet
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë profesori Milaim Fejzi, njëri ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari ka shprehur ngushëllime ndaj familjes Fejzi, duke kujtuar profesorin e ndjerë për kontributin e tij kombëtar por edhe per kontributin e tij në vënien e themelit të arsimit sipëror në vendin tonë. Taravari, profesor Milaim Fejzin e kujton si një njeri multi-dimensional i cili ka dhënë kontribut në shumë sfera të jetës shoqërore, kombëtare dhe publike.
“Themeluesi i Universitetit të Tetovës, profesor Milaim Fejzi është ndarë nga jeta.
Ky lajm tejet i trishtë na bën të kujtojmë veçse me nderim këtë personalitet multi-dimensional.
Profesor Milaimi ishte nënkryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë dhe Kryetar i Forumit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Maqedoni. Vetëm këto dy pozita tregojnë për veprimtarinë e jashtëzakonshme të tij…
Fatkeqësisht, bashkë me figurën e tij humbi një burrë nga ata që shoqërisë nuk i vijnë shpesh.
I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes Fejzi!
Zoti e pastë afër dhe ne këtu në tokë e kujtofshim me nderim e respekt këtë emër i cili edhe pse nuk jeton më, na ka lënë shumë vepra nga të cilat mund të mësojmë!” – thekson Arben Taravari në postimin e tij në Facebook.