RajoniTop Lajme

Kurti: Plani Evropian është i pranueshëm, unë isha i gatshëm ta nënshkruaj

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kurti, para mediave, deklaroi se ndonëse pati dakordim, marrëveshja nuk u nënshkrua sot pasi pala tjetër [Vuçiq], nuk ishte e gatshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”, deklaroi Kurti para mediave.

“Edhe unë mendoj se është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqë u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtëij teksit do të duhej të përfundonte me nënshkrim, mirëpo ishte pala serbe që nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, theksoi kryeministri Kurti.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit i është shmangur pyetjes se a është dakorduar për marrëveshje pa njohje de-jure, por dha të njëjtën përgjigje siç ka deklaruar edhe më parë, njohjen de-facto.

Kurti tha se takimi i sotëm ishte konstruktiv, por që nuk ka përfunduar me marrëveshje pasi ditëve në vijim do të ketë takim të radhës, si dhe diskutime me diplomacinë fluturuese të BE-së.

“Sot patëm një takim pozitiv, konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë, qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe tash diskutimet e mëtejme, ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit, për çka do ketë edhe diplomaci fluturuese, por edhe takim të radhës të nivelit të lartë, sërish me ndërmjetësimin apo fascilitimin e zotit Borrell dhe Lajçak”.

Ai po ashtu theksoi se së shpejti, përmbajtja e propozimit do të bëhet e ditur edhe për qytetarët, derisa shtoi se përmes tij garantohet fqinjësia mes Kosovës dhe Serbisë.

“Plani i zbatimit do të jetë se si të përkthehet në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi për propozimin evropian. Unë besoj që është koha të mos jap interpretime dominuese, pikërisht në momentin që ky tekst do të lexohet nga të gjithë, por është marrëveshje që plotësisht vendos barazinë mes palëve, e simetrisë dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë në mënyrë demokratike dhe të ardhme. Tekstin e dakorduar do të mund ta lexoni që të gjithë”, tha kryeministri Kurti.