Maqedoni

Vazhdon gjykimi për spitalin modular në Tetovë, dëshmojnë ekspertë dhe dëshmitarë

Shpërndaje

Instalimi i rrjetit të energjisë elektrike në Spitalin Modular të Tetovës është bërë në mospërputhje me rregullat e parapara. Kështu, ka deklaruar eksperti i elektrikes Irfan Shaqiri, gjatë dëshmisë së tij në gjyqin për zjarrin në Spitalin Modular. Shaqiri i cili ka kryer hetime një ditë pas zjarrit, tha se procedura e instalimit të rrymës ka qenë joadekuate dhe pa respektuar standardet evropiane, ndërsa nuk ka asnjë elaborat lidhur me procedurën.

“Kyçja e objektit në largpërçues është bërë nga dy elektricist të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës, pra nuk ka qenë elektricist dhe nuk kanë pasur asnjë dokument ose elaborat për këtë rast. Puna nuk është mbikëqyrur nga inxhinier me licencë nga Oda e Elektricistëve. Instalimi i rrymës është bërë pa asnjë dokument dhe se çfarë kabllo duhet të vendoset në bazë të rregullave. Rryma është vendosur në bazë të udhëzimeve nga elektricistë më të vjetër, por edhe nuk ka pasur as udhëzues dhe skemë se si do të instalohet rryma. Po ashtu edhe kablloja është vendosur pa standarde”. Tha Irfan Shaqiri, ekspert.

Në seancë gjyqësore u paraqit edhe dëshmitarja Ollgica Delevska, e cila tha se natën kritike kur ka shpërthyer zjarri ishte në spital me bashkëshortin e saj, ndërsa brenda nuk ka parë të ketë aparat për shuarjen e flakëve.

“Kemi dëgjuar njerëzit duke kërkuar ndihmë, njerëzit kanë qenë në panik, shpërtheu zjarri dhe kemi filluar çdo kush që të gjendet dhe të shpëtojë në mënyrën e tij. Janë thyer dritaret dhe kam kërcyer nga dritarja duke dalë jashtë. Nuk kam vërejt se ka aparat kundër zjarrit”, u shpreh Ollgica Delevska, dëshmitare.

Ndërkohë familjarët e viktimave shprehën revoltën e tyre kur gjykatësi ftoi si dëshmitarë personat që kanë humbur jetën në tragjedinë. Mbrojtja e të akuzuarve, Florin Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski dhe personi juridik Spitali modular, filloi me leximin e dëshmive dhe më pas do të vazhdohet edhe me thirrjen e dëshmitarëve. Gjatë seancës, nuk u pranua kërkesa e palës mbrojtëse që të dëshmojë një person nga krim teknika e forenzikës së Gjermanisë. Seanca e radhës do të mbahet më 21 mars. Në zjarrin që përfshiu Spitalin Modular në Tetovë më 8 shtator të vitit 2021 humbën jetën 14 persona. /Alsat.mk