BotaTop Lajme

Erdogan: Presim që sipërmarrësit të mobilizohen për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga tërmeti

Shpërndaje

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan tha se pret që sipërmarrësit të mbrojnë vendet e punës dhe fabrikat dhe të mobilizojnë të gjitha fondet që kanë në dispozicion për të prekurit nga tërmetet shkatërruese që goditën rajonet jugore të vendit muajin e kaluar, raporton Anadolu.

Erdoğan iu drejtua pjesëmarrësve të Samitit të 26-të Ekonomik Euroaziatik të organizuar nga Fondacioni Marmara në Istanbul me një mesazh, ndërsa mesazhin e tij e lexoi deputeti turk dhe shefi organizimit të takimit, Samil Ayrim.

Në mesazhin e tij, presidenti Erdoğan theksoi se samiti po mbahet në një periudhë të errët kur populli turk po përballet me pasojat e një prej fatkeqësive më të mëdha natyrore që ka goditur ndonjëherë njerëzimin.

“Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë në Kahramanmaras prekën drejtpërdrejt 11 provincat tona dhe 14 milionë njerëz. Më shumë se 48 mijë bashkëqytetarë tanë humbën jetën në këto tërmete dhe ekonomia e vendit tonë u godit rëndë. E nisëm mobilizimin që në momentin e parë të tërmetit me mbështetjen e botës së biznesit tonë. Vazhdojmë në platforma të ndryshme”, tha Erdoğan.

Duke theksuar se synimi i Türkiye-s është që brenda një viti të rindërtojë të gjitha qytetet e shkatërruara, Erdoğan tha se në këtë proces, përveç institucioneve përkatëse të shtetit, detyra dhe përgjegjësi të rëndësishme ka edhe bota e biznesit.

“Ne presim që sipërmarrësit tanë të ruajnë vendet e punës, fabrikat dhe të mobilizojnë të gjitha burimet që kanë në dispozicion për të prekurit tanë nga tërmeti. Besoj se me përpjekje të përbashkëta si vend dhe popull do ta kapërcejmë këtë sprovë të vështirë”, tha Erdoğan.