RajoniTop Lajme

Rama: E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për pagën minimale, me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë

Shpërndaje

Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri i vendit Edi Rama bën me dije se me rritjen e fundit të pagës minimale, Shqipëria ngjitet në vendin e tretë në rajon, duke u barazuar në këtë mënyrë me Maqedoninë e Veriut dhe duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.

Mes të tjerash, Kryeministri Rama thekson se qeveria e drejtuar nga ai do të bëjë edhe 2 rritje të tjera, duke e mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë Lekë të reja nga 38 mijë Lekë të reja që Kryeministri thekson se ishte objektivi i tyre.

“E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baraz me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lekë, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Europën!

Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin Prill.

Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit”, shkruan Kryeministri i vendit Edi Rama.