Osmani uron nxënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

Shpërndaje

Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar nxënësit e shkollimit parauniversitar, në fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, njofton ALBAZONE MEDIA.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani thotë se investimi në arsim duhet të jetë prioritet mbi prioritete, sepse “vetëm në këtë mënyrë do të mund ta krijojmë një ekonomi të qëndrueshme, një shoqëri stabile dhe një shtet të fortë”, thotë ajo.

Postimi i plotë:

Të dashur nxënës, prindër e mësimdhënës,

Sot keni nisur gjysmëvjetorin e dytë, megjithëse në rrethana më specifike, shkaku i pandemisë Covid-19. Një ditë domethënëse, një rifillim për të zënë dije.

Përpara keni një periudhë me plot angazhime e sfida. Investimi në arsim duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund ta krijojmë një ekonomi të qëndrueshme, një shoqëri stabile dhe një shtet të fortë.

Në rrugën e dijes ju do të vendosni themelet e të ardhmes. Do të aftësoheni të merrni vendime për veten e më pas edhe për të tjerët.

Në këtë gjysmëvjetor uroj që secili nga ju të ndihet krenar për arritjet.

Duke ju inkurajuar për sa më shumë përkushtim në çdo ditë të mësimit, uroj për një fillim të mbarë dhe një përmbyllje me sukses!

Foto nga arkivi