BE: Pasoja për Kosovën dhe Serbinë nëse nuk zbatojnë marrëveshjen
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do ketë pasoja nëse Kosova dhe Serbia nuk respektojnë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksin e saj. Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano ka paralajmëruar pasoja të tilla pasi është pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Aleksandar Vuçiq, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë. “Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar, shkruan REL, përcjellë albinfo.ch.
Pasojat do të jenë politike dhe ekonomike ka shtuar Stano. “Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai, shkruan REL, përcjellë albinfo.ch.
Kosova dhe Serbia, më 18 mars u pajtuan për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksin e saj.