Kurti zbuloi pllakën përkujtimore në Shtuticë të Drenasit
Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Marinë, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit.
Duke kujtuar 274 dëshmorët dhe martirët, Kryeministri Kurti tha se në zonën e Vërbovcit dhe Shtuticës në Drenicë gjatë ofensivës së 30 prillit, mbeten të vdekur dhjetëra shqiptarë të cilët e donin tokën e tyre dhe donin të jetonin të lirë e në paqe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës vepronte për të çliruar Kosovën në tokë në çdo pëllëmbë të atdheut tonë, ndërkaq avionët e NATO-s goditnin caqet e forcave ushtarake e policore të Serbisë e Jugosllavisë së Millosheviqit.
Por, në mëngjesin e 30 prillit, kur forcat serbe sulmuan fshatrat e Shtuticës, Vërbovcit, Baksit dhe zonat përreth, kishte një numër të madh të njerëzve të cilët aso kohe patën ardhur nga fshatrat tjerë që të strehohen në zonën e Vërbovcit, tha Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti pas homazheve në Marinë dhe zbulimit të pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit./