MaqedoniTop Lajme

Kovaçevski nga Këshilli i Sigurisë: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti

Shpërndaje

Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim para anëtarëve të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kryeministri Kovaçevski e uroi Zvicrën për Kryesimin e parë të Këshillit të Sigurisë dhe përshëndeti debatin e sotëm kushtuar çështjes së paqes.

Në vazhdim fjalimi i plotë i Kryeministrit:

“Faleminderit z. Kryesues,

E përgëzoj Zvicrën për Kryesimin e saj të parë me Këshillin e Sigurisë dhe mirëpres debatin e sotëm për çështjen e paqes.

Ky është një tjetër konfirmim se Konfederata Zvicerane është e përkushtuar ndaj kauzës fisnike të paqes, zgjidhjes paqësore të konflikteve dhe së drejtës ndërkombëtare.

Jam veçanërisht i nderuar që jam Kryeministri i parë maqedonas që do të flas para Këshillit të Sigurisë dhe që me ftesën tuaj sot do të kem mundësinë të kontribuoj në diskutim.

Besoj se qëndrimet tona aktuale duhet të bazohen edhe në përvojat pozitive të së shkuarës, kur KB-ja dhe sistemi shumëpalësh u treguan efikase.

Sot, kur kemi një detyrim moral për të kontribuar në Agjendën e Re për Paqe, nuk mund të mos shikojmë përvojat e Agjendës së Vjetër nga viti 1992 dhe fillimet e Misionit të parë dhe të vetëm parandalues ​​të KB-së në vendin tonë, 30 vite më parë.

Ai mision u konsiderua gjerësisht si një veprim i suksesshëm preventiv ​​i OKB-së.

Themeli për ndërtimin e paqes është forcimi i besimit dhe parandalimit, dhe përgjegjësia për këtë është tek ne, qeveritë e shteteve anëtare të KB-së.

Është përsëritur shumë herë dhe në rastin tonë është vërtetuar në praktikë. Presidenti ynë i parë, Kiro Gligorov, gjatë viteve të vështira të luftërave në zonën e ish-Jugosllavisë, me urtësinë, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tij për paqen mundësoi pavarësinë paqësore dhe vendosjen ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut si shtet i pavarur dhe sovran.

Në kohë lufte në fqinjësinë më të afërt kishim agjendën tonë nacionale për paqen, që nënkuptonte domosdoshmërisht sigurimin e konsensusit të brendshëm, por edhe bashkëpunimin e ngushtë me KB-në, si dhe me organizatat rajonale, në radhë të parë OSBE-në dhe BE-në. Në atë mënyrë u krijuan parakushtet për një mision të suksesshëm parandalues ​​- UNPREDEP.

Përhapja e konfliktit u parandalua, paqja dhe stabiliteti u ruajtën, duke shpëtuar kështu jetë të panumërta dhe duke parandaluar shkatërrimet e panevojshme. Dhe ajo që është gjithashtu shumë e rëndësishme: u krijua besimi dhe kultura e dialogut po zhvillohej ngadalë por me siguri si e vetmja mënyrë për të tejkaluar edhe sfidat më serioze.

Pikërisht përmes asaj kulture të dialogut të hapur që 30 vjet më vonë, Maqedonia e Veriut është një vend shembull për zgjidhjen e çështjeve të hapura si në vend ashtu edhe me fqinjët e saj.

Gjatë 30 viteve të fundit, ne kemi marrë shumë vendime të vështira. Vendime të vështira, por vizionare dhe të guximshme, të cilat na mundësuan sot të jemi vend anëtar i NATO-s dhe të kemi filluar bisedimet me Bashkimin Evropian me gjuhë, identitet dhe kulturë maqedonase të mbrojtur dhe të njohur.

Nga një vend që priti misione paqeruajtëse 30 vjet më parë, sot jemi faktor stabiliteti dhe nikoqir për negociatat mes vendeve të tjera.

Z. Kryesues,

Është e nevojshme të përforcohet besimi në institucionet tona, në KB, në drejtësi. Në veprimin tonë, ne duhet të udhëhiqemi mbi të gjitha nga parimet e Statutit të KB-së, zgjidhjen paqësore të konflikteve, si dhe solidaritetin, dhe nga nevoja për angazhim aktiv dhe të përhershëm për të reduktuar vuajtjet, kudo që është e nevojshme.

Në këtë kontekst, arritja e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm janë plotësisht plotësuese të të gjitha përpjekjeve për të siguruar një botë më paqësore, të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë.

Fatkeqësisht, sot jemi shumë larg realizimit të një vizioni të tillë. Agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, i cili ende vazhdon, ka ndryshuar marrëdhëniet globale në një masë të tillë, saqë ekziston një nevojë urgjente për të ri-njohur kuadrin tonë themelues ligjor. Synimi i tyre i qartë ishte të shmangnin tmerret e luftës.

Edhe këtë herë, si shumë herë më parë, Republika e Maqedonisë së Veriut qëndroi fuqishëm në anën e duhur të historisë, në anën e botës demokratike dhe të lirë, në anën e së drejtës së çdo vendi për vetëpërcaktim.

Sot, të gjithë së bashku duhet të qëndrojmë përsëri në anën e paqes dhe të angazhohemi për të respektuar Statutin e Kombeve të Bashkuara.

Si pjesë e barabartë e Federatës së atëhershme e cila ishte ndër themeluesit e KB-së, por edhe si një vend i cili 30 vjet më parë fitoi vendin e vet të pavarur në këtë Organizatë, Republika e Maqedonisë së Veriut ngre zërin e saj dhe ndan shqetësimin e fundit nga kriza që po i shtyn Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe rendin juridik ndërkombëtar, paqen dhe stabilitetin botëror.

Agjenda e re e Paqes e Sekretarit të Përgjithshëm Guteresh është një mundësi që ne duhet ta shfrytëzojmë për të krijuar kushtet për një veprim shumë më unik, me ndërgjegjësim për rreziqet në rritje. E nesërmja do të na pyesë se çfarë bëmë sot, ashtu si sot pyesim veten pse nuk vepruam dje. Na nevojitet paqe!

Tani dhe menjëherë!

Faleminderit dhe dua të falënderohem përsëri për mundësinë për të mbajtur fjalim para Këshillit të Sigurisë së KB-së.”