Deklarohen nga LVV-ja pas paralajmërimeve për dorëheqjen e mundshme të kryeministrit Kurti!
Gazetari, Milaim Zeka, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka paralajmëruar dorëheqjen e kryeminsitrit Kurti nga pozita për shkak se i njëjti ka presion ndërkombëtar për formimin e Asociacionit.
Ndaj kësaj deklarate të Zekës ka reaguar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.
Thaçi tha se duke e njohur Albin Kurtin i njëjti nuk e njeh çfarë është presioni.
Tutje Thaçi ka shtuar se modeli i Asociacionit kroat është më i përshtatshmi për Kosovën dhe se çdo opsion tjetër është në kundërshtim em Kushtetutën.
“Kryeministri bashkë me ekipën negociatore ka dhënë opsionin për formimin e Asociacionit. Modeli i ‘Asociacionit kroat’ është më i përshtatshmi për Republiken e Kosovës, çdo opsion tjetër që është në kundërshtim me kushtetutën është i pa pranueshëm. E sa i përket presionit , duke e njohur nga afer Albinin ai nuk e njeh çfarë është presioni” tha Thaçi në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.
Halil Thaçi, Deputet i LVV-së
Edhe deputeti tjetër që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, u shpreh i bindur se nuk do të ketë asnjë variant Asociacioni që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Bajqinovci theksoi se kryeministri Kurti dhe Republika e Kosovës kanë Kushtetutën dhe normat kushtetuese si udhërrëfyes të procesit në dialog.
“Ju e dini qëndrimin e Qeverisë se nuk do të ketë në asnjë variant asociacion që vjen në kundërshtim me rendin tonë kushtetues. E rendi ynë kushtetues nuk njeh nivel të tretë të pushtetit. Kryeministri Kurti dhe Republika e Kosovës kanë Kushtetutën dhe normat kushtetuese si udhërrëfyes të procesit në dialog” tha Bajqinovci për “Gazeta Blic”
Ai tutje u shpreh me bindje se kryeministi Kurti nuk do të japë dorëheqjen.
Deputeti Bajqinovci tha se Qeveria nuk e shkel Kushtetutën si çmim i kompromiseve ndaj Serbisë.
“Prandaj, as nuk do të jap dorëheqje Kryeministri e as aleatët tanë nuk i kanë kërkuar dhe as nuk do t’i kërkojnë z. Kurti asnjë reflektim mbi rendin tonë kushtetues. Raportimet siç i prezantuat ju, janë spekulime. Ne nuk e shkelim Kushtetutën e vendit si çmim i kompromiseve ndaj Serbisë, siç bënin të tjerët më herët. Madje edhe per aq sa kanë lëvizur e kanë dëmtuar vendin” tha Bajqinovci për “Gazeta Blic”
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi se draft-statuti i Asociacionit, i cili u prezantua nga ekipi menaxhues në takimin e Brukselit më 2 maj, nuk ishte përfundimtar, por një pikënisje e rëndësishme për bisedimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve.
Lajçak, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se palët në takimin në Bruksel kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt formimit të Asociacionit.
“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë i organizuar nga Bashkimi Evropian dhe i asistuar nga unë, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës.
“Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët gjithashtu bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi drejtues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, shkroi Lajçak ndër të tjera në Facebook.