Shaqiri: Do të mbahet provimi i maturës pavarësisht grevës së Qendrës Shtetërore të Provimeve
Maturantët tashmë janë duke përfunduar përgatitjet për provimin e maturës shtetërore, ndonëse nuk dihet nëse do të zhvillohet apo jo provimi i maturës.
Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve njoftoi se greva do të vazhdojë pasi në mbledhjen e djeshme në Qeveri nuk ka pasur marrëveshje mes Sindikatës dhe zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha se do ta analizojnë vendimin e sindikatës por shtoi se provimet do të zhvillohen në kohë.
“Provimet do të mbahen në kohë. Nëse është e nevojshme do të angazhohen edhe punonjës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, shrpehet ministri Shaqiri.
Provimi i maturës shtetërore është parashikuar të zhvillohet në fund të muajit. Më 27 maj provimi do të mbahet në gjuhën amtare, ndërsa më 10 qershor në lëndët matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, filozofi dhe estetikë, në varësi të përcaktimit të nxënësve.