Bota

Zgjedhjet në Turqi, votuan burri dhe gruaja më e gjatë në botë

Shpërndaje

Sulltan Kosen, i cili mban titullin si njeriu më i gjatë në botë, kreu obligimin e tij qytetar dhe votoi në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që po mbahen sot në Türkiye, raporton Anadolu.

Ai votoi në lagjen Alibej në Mardin. Për shkak të problemeve që ka me ecjen, ai kërkoi një traktor me rimorkio me ndihmën e të cilit shkoi në qendrën e votimit. “Fat të mbarë për vendin tonë”, tha Kosen pas votimit.

Sulltan Kosen, nga qyteti i Mardinit, është 2 metra e 51 centimetra i gjatë dhe prej 14 vitesh mban titullin e njeriut më të gjatë në botë.

Përveç gjatësisë prej 2.51 metrash, Kosen hyri edhe në Librin e Rekordeve Guinness si njeriu me pëllëmbën më të gjatë (27.5 centimetra) dhe shputat më të gjata (36.5 centimetra).

Kosen, i cili ka lindur 41 vjet më parë në fshatin Dede, pranë qytetit turk Mardin, në lindje të vendit, u rrit me shpejtësi pas moshës 9-vjeçare.

Po ashtu sot në qytetin turk Karabuk ka votuar edhe turkja, Rumeysa Gelgi, e cila vuan nga sindroma Weaver dhe ka hyrë në librin e rekordeve Guinness si gruaja më e gjatë në botë me 2.15 metra.

Zyrtarët e Komisionit Zgjedhor në qarkun Safranbolu e çuan kutinë mobile të votimit në lagjen Emek, në shtëpinë Gelgit. Ajo tha se vitet e kaluara ka shkuar në qendrën e votimit për të votuar, por këtë vit ka shfrytëzuar mundësinë e kutisë mobile.

“Ia dua më të mirën vendit tim. Votova, faleminderit”, u shpreh shkurtimisht Gelgi.

Qytetarët e Türkiye-s sot votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur mes tre kandidatëve presidencialë, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.

Rreth 60.7 milionë qytetarë turq janë regjistruar për të votuar në Türkiye ndërsa jashtë vendit ishin të regjistruar 3.4 milionë votues.