Bota

Türkiye, zhvillohet votimi edhe në zonat e goditura nga tërmeti

Shpërndaje

Foto: Sinan Doruk/AA
Qytetarët nga zonat e prekura nga tërmetet shkatërruese të shkurtit të këtij viti në qytetet Hatay, Osmaniye dhe Adana në Türkiye, janë duke dalë për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, raporton Anadolu.

Në Hatay, ku më shumë se një milion qytetarë kanë të drejtën e votës, votuesit u janë drejtuar kutive të votimit që nga orët e mëngjesit për të kryer obligimin e tyre qytetar.

Në Antakya dhe Defne janë vendosur kontejnerë ku po zhvillohet procesi i votimit, si dhe nëpër shkolla që nuk kanë pësuar dëmtime serioze nga tërmetet dhe janë të sigurta për votim.

Transport falas drejt qendrave të votimit organizohet edhe për qytetarët që janë të vendosur përkohësisht në kontejnerë dhe çadra dhe që nuk kanë mundësi të lëvizin në vendvotim.

Nga orët e mëngjesit qytetarët vijnë edhe në shkollat ​​në Osmaniye. Të drejtë vote në këtë zonë kanë 385.998 qytetarë.

Qytetarët votojnë edhe në Adana, ku janë vendosur 4.795 kuti votimi për më shumë se 1,6 milionë persona me të drejtë vote.

Qendrat e votimit anembanë Türkiyes u hapën mëngjesin e sotëm në orën tetë me orën lokale, duke shënuar fillimin e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Qytetarët e Türkiyes sot votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur mes tre kandidatëve presidencialë dhe 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.

Rreth 60,7 milionë qytetarë turq janë regjistruar për të votuar në Türkiye, kurse jashtë vendit ishin të regjistruar 3,4 milionë votues.